“Nuk kemi marrë asnjë dëmshpërblim”/ Përmbytjet në Durrës, banorët protestojnë për të dytën ditë para bashkisë

Banorët e Kënetës, të mbështetur nga eksponentë të Partisë Demokratike, janë duke protestuar për të dytën ditë para bashkisë Durrës, lidhur me përmbytjet e ditëve të fundit që shkaktuan një viktimë dhe dëme të shumta në këtë qark.
Protestuesit e konsiderojnë Bashkinë Durrës si përgjegjëse për dëmet e mëdha në banesa, biznese dhe toka bujqësore.
Sipas tyre, situata e rëndë e krijuar nga përmbytjet nuk është pasojë e një fatkeqësie natyrore, por e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet publike ndër vite.
Të mbledhur në sheshin kryesor të qytetit, protestuesit tentuan të hyjnë në bashki, por nuk u lejuan nga kordoni policor.
Ndërkohë, situata në terren mbetet ende kritike, me banesa dhe rrugë nën ujë dhe banorë që presin të ndihmohen.
Në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit. Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.
LEXO EDHE: PAMJE ME DRON/ Urdhërohet evakuimi i banorëve, Sukthi në pushtetin e ujit