E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk kemi pretendime territoriale

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Svetozar Marovic, ka konfirmuar se do të vendosen marrëdhënie diplomatike me Kosovën, por nuk ka bërë të ditur se kur do të ndodhë kjo. Në një intervistë për të përditshmen malaziase, Dan, ai ka thënë se kjo është vetëm çështje kohe. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kështu që, çështja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me vendin të cilin e kemi njohur është vetëm çështje kohe, ka thënë Marovic.

Zyrtari malazias ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës do të shqyrtohet kur për këtë të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme.
Duke komentuar shkrimet e medieve në Prishtinë se Kosova i ka dërguar Malit të Zi kërkesë për demarkacion të kufirit shtetëror dhe se Mali i Zi ka uzurpuar një pjesë të territorit kosovar, Marovic ka thënë se nuk është i njoftuar se ka një kërkesë të tillë nga Prishtina.

Është e qartë se Mali i Zi nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë fqinji dhe mbetet deri në fund i përcaktuar që të gjitha çështjet e tilla, nëse ekzistojnë, të zgjidhen me marrëveshje, duke u nisur nga obligimi i ruajtjes së integritetit territorial të Malit të Zi si shtet, ka thënë ai.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran në tetor të vitit të kaluar, të njëjtën ditë me Maqedoninë. Njohja nga këto dy shtete fqinje erdhi vetëm një ditë pas kalimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me të cilën u iniciua procesi rreth legalitetit të pavarësisë së shtetit të ri në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Marrëdhëniet diplomatike me Maqedoninë janë vendosur kohë më parë, pas një procesi të gjatë të demarkacionit të kufirit, që ishte kusht i Shkupit. Nga Podgorica zyrtare nuk është paraqitur ndonjë kusht për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›