E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi të lira? Është e vështirë

30/10/2009  Bankat: Pa afat lehtësimi i huave. Buxhuku: Ndikimet negative të uljes së normës

Ulja e normës bazë të interesit në 5.25 për qind mbështetet nga biznesi

Norma më e ulët bazë e interesit për lekun do të sjellë kredi më të lira për qytetarët dhe biznesin. Apelit të dy ditëve më parë të Guvernatorit të Bankës Qendrore bankat tregtare do t’i përgjigjen me studim të kushteve për uljen e kostos së kredive, por afate kohore nuk mund të jepen. Ulja e mundshme e interesave për kredinë në lekë mund të sjellë efekte negative, që sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, lidhen me zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare dhe rritjen e kredive të këqija në sistem. Konfindustria ka mbështetur në parim vendimin e Bankës Qendrore për uljen e normës bazë të interesit, por e vlerëson krahasimisht të vonuar në kohë.

Reagimet

Konfindustria vlerëson se shenjat e përmirësimit të ekonomisë botërore dhe qëndrueshmëria relative e sistemit bankar dhe ekonomisë shqiptare, përligjin në thelb uljen e normës bazë të interesit. Por Konfindustria kërkon marrjen e veprimeve shoqëruese të nevojshme, me qëllim që të kemi përcjellje të rrjedhojave të vendimit në lehtësimin e prekshëm të kredidhënies për biznesin dhe qytetarët. “Banka e Shqipërisë, por edhe institucionet shtetërore financiare duhet t’i kushtojnë rëndësi parësore edhe shmangies të rrjedhojave negative, që mund të vijnë nga vendimi për uljen e normës bazë të interesit”, - tha Buxhuku. Ai ka përmendur si pasoja të dëmshme të mundshme zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare nga veprimet spekulative me motiv psikologjik në tregun e parasë si dhe nga ndërhyrjet e gabuara dhe të panevojshme të politikes ndaj vlerës së monedhës kombëtare. Sipas Buxhukut, bazuar në të dhënat zyrtare leku është zhvleftësuar në mbi 13 për qind. Gjithashtu, një tjetër ndikim i mundshëm do të ishte sipas Buxhukut, keqësimi i mëtejshëm i cilësisë së portofolit të kredive, që aktualisht mbi 16 për qind e zënë kreditë e këqija. “Ky është rrezik i prekshëm për stabilitetin e sistemit bankar në vend. Domosdoshmëri mbetet përmirësimi urgjent i cilësisë së menaxhimit nga bankat e nivelit të dytë, deri më sot në shkallë të ulët dhe të papranueshme”, - nënvizon Buxhuku. Sipas Drejtorit të përgjithshëm të Tirana Bank, Dimitris Santixis, një veprim i tillë kushtëzohet edhe nga niveli i interesave të depozitave. Sipas tij, është e vështirë që ky vendim të reflektohet në mënyrë të menjëhershme. “E përshëndes këtë vendim të Bankës Qendrore, mendoj se ai i vjen në ndihmë situatës ekonomiko-financiare të vendit. Sigurisht ky ndryshim i normës së interesit nga Banka e Shqipërisë do të ndikojë në uljen e interesit të kredisë në lekë në të ardhmen, por kjo do të varet edhe nga ulja e normës së interesit për depozitat, pasi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim kredidhënien”, - thotë Santixis.

Biznesi

Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë përshëndeti vendimin e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. “Kjo ulje ka qenë kërkesë e kahershme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe reflektimi i bankës në këto momente do të përbëjë një stimul të ri biznesin dhe ekonominë shqiptare për shkak të uljes së kostos së kredisë në lekë. Tashmë që efektet e krizës financiare janë ndjerë dhe në vendin tonë, shtysa e ekonomisë është biznesi dhe për këtë duhen gjithnjë e më shumë lehtësira dhe stimuj financiarë, siç është rasti i uljes së normës bazë të interesit për lekun”, - theksoi Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Ulja e normës

Banka e Shqipërisë uli dy ditë më parë me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës vendosi ta çojë në 5.25 për qind koston e monedhës vendase nga 5.75 për qind që ishte më parë. Guvernatori Ardian Fullani ka shpjeguar se ky vendim do t’i japë më shumë frymëmarrje ekonomisë, në kushtet kur kreditimi ka pësuar rënie, si pasojë e politikave shtrënguese që po zbatojnë bankat për t’u mbrojtur nga efektet e krizës financiare botërore.

Deklarata

“Sistemi bankar shqiptar duhet ta kuptojë drejt rolin e tij, duke transmetuar të plotë dhe me shpejtësi këtë lehtësim të politikës monetare në ekonomi. Një presion më i ulët i sektorit fiskal në tregjet financiare vendase në të ardhmen do të ulë primet e rrezikut në ekonomi, do të krijojë më shumë hapësira për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë dhe do të favorizojë sheshimin e kurbës së normave të interesit, në favor të uljes së mëtejshme të kostos së kredisë”,- tha Fullani.

Apeli i biznesit

Lehtësimi i politikës monetare sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është një masë në kahun e duhur që do të lehtësonte qarkullimin e kapitaleve në tregun ndër bankar duke bërë presion pozitiv për çlirimin e kredisë, por edhe uljen e kostos së saj. Dhoma e Tregtisë i bën thirrje bankave që të kenë një reagim të shpejtë ndaj vendimit të Bankës së Shqipërisë, me qëllim uljen e kostos së kredisë për biznesin dhe stimulimin e ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›