"Nuk mund të gjykohet duke u nisur nga dështime të disave"
Mua më duket edhe se, materialet e botuara në rubrikat e komenteve ose të opinioneve, në të gjitha gazetat e Tiranës, janë shembull i gjallë i ushtrimit me sukses të së drejtës aq të vyer të fjalës, të cilën, publicistët shqiptarë, e fituan vetëm në vitin 1990.
A është abuzuar me këtë të drejtë fjale? Natyrisht! A është përdorur tribuna e analizës ose e komentit për të hedhur baltë mbi kundërshtarin, për të gënjyer, për të shitur dëngla, për të bërë karrierë politike, për t'i thurur lavde një politikani dhe për qëllime të tjera që s'kanë fare të bëjnë me analizën intelektuale të mirëfilltë? Natyrisht!
A vlen kritika për një takëm autorësh, që nxijnë faqet e gazetave të Tiranës me budallallëqe, banalitete, profka, mashtrime dhe teori shkollareske? Patjetër që vlen!
Po atëherë? Gabimi i parë, të cilin unë do ta quaja të rëndë, është se, përqesh këtë pseudo-kategori 'analistësh', pa dalluar midis atyre që, vërtet përpiqen të mbajnë gjallë një dialog me lexuesit, dhe atyre të tjerëve që, vetëm sa e përdorin gazetën për qëllime meskine politike, ose për larje hesapesh, ose për arsye të tjera të padenja.
Përndryshe, çdo kategori profesionale, duke përfshirë edhe kategoritë e sajuara, ose artificiale si kjo e 'analistëve', nuk mund të gjykohet duke u nisur nga dështimet, dobësitë dhe marifetet e pjesëtarëve të veçantë.