“Nuk mund të shkel Kushtetutën për tekat e një kryetari partie”
Kreu i qeverisë Berisha, sqaron përfundimisht opozitën
Kryeministri Sali Berisha shprehu edhe njëherë dje se kërkesa e Partissë Socialiste është antiligjore dhe shkel pavarësinë e pushteteve, në rastin konkret të gjykatave.
Sipas kryeministrit ky është sqarimi përfundimtar i tij, mbi hapjen e kutive.
Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor të Partisë Demokratike, shefi i ekzekutivit, vuri në dukje pretendimet e pabaza të opozitës, për të cilat rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e tij, duke theksuar se hapësirën e vetme ligjore e ofron komisioni hetimor, por edhe për këtë, më parë opozita duhet të rikthehet në kuvend.
“Kërkesa e zotit Rama është e paligjshme dhe antikushtetuese dhe ne nuk kemi mekanizëm që ta plotësojë. Kjo, sepse vërtet komisionet hetimore ngrihen sipas nenit 77 të Kushtetutës, si dhe ligjit nr. 8891, i miratuar në datën 2.5.2002, kur socialistët kanë qenë shumicë, por ky ligj përcakton në mënyrë eksplicite, në nenin 3 pika 4, se komisioni hetimor nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatave. Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të 32 deputetëve të Partisë Socialiste, me vendimin nr. 18, datë 14.5.2003, interpretoi nenin 77 të Kushtetutës dhe e plotësoi me vendimin e saj, duke qartësuar kuptimin e tij në mënyrë përfundimtare. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e vendit sanksionon se marrëdhëniet ndërmjet gjyqësorit dhe pushteteve të tjera bazohet dhe orientohet kryesisht nga parimi i ndarjes së pushteteve”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë solli në detaje të gjithë procedurën ligjore se kur mund të bëhet numërimi i votave. Sipas Kodit Elektoral subjektet politike mund të ankohen gjatë procesit të numërimit, gjë që nuk kanë ndodhur në rastin e Partisë Socialiste, komisionerët e së cilës kanë firmosur pa përjashtim procesverbalet e votave të numëruara në KZAZ.
Berisha theksoi edhe hapësirat ligjore që ka komisioni hetimor, por të cilat, nuk mund ta shndërrojnë kurrsesi në gjykatë.
Lidhur me ankimin e PS-së në Kushtetuese për çështjen e kufirit me Greqinë, Berisha i sugjeroi kryetarit të Partisë Socialiste që të marrë ekspertët më të mirë të ligjit mbi këtë çështje. Por, duke iu referuar faktit që PS ka marrë si avokat Ngjelën në ankimin e saj për marrëveshjen me Greqinë, Berisha solli në vëmendje një bashkëpunim të hershëm mes tij dhe avokatit, që, gati “hodhi në erë” strategjinë e tij.
“PS të thërrasë ekspertët më të mirë, të cilët kanë hartuar ligin zgjedhor dhe jo t’ia besojë avokat Ngjelës fatet e PS-së. Për ta ndihmuar zotin Rama dua t’i tregoj vetëm një moment, të mos ecë në gabimet e mia. Ia besova unë një herë këtë gjë dhe desh më ‘hodhi’ në erë të gjithë strategjinë time. E nisa avokatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një proces zgjedhor. Atje e priti një personalitet ndër më kryesorët i Partisë Republikane dhe mik i imi, që punonte në Shtëpinë e Bardhë. Për ta nderuar e ftuan për drekë dhe ai i pyet: zotërinj, e njihni ju Xhefersonin. Ata panë njëri-tjetrin dhe i thonë po. Atëherë e dini, vazhdoi avokati, se Xhefersoni thotë se kur preket vota, rrëmbehen armët. Ata e mbyllën diskutimin dhe më thanë se ç’është ky njeri që na ke dërguar këtu. Kështu që zoti Rama, me zotin Ngjela mund të themelosh KISS-in, pra, edhe një KISS bis, por t’i besosh atij avokatinë e PS-së, është absolutisht aventura më e madhe dhe fati më i zi i kësaj partie, qëkur bie në duart e Spartak Ngjelës”, informoi kryeministri i vendit Sali Berisha.