“Stilografi” Njazi Jaho dhe kutitë e zgjedhjeve në ndihmë të Edi Ramës

Sa herë që Partia Socialiste ka nevojë për “zëra të pavarur”, i ka disa qatipë të gatshëm që pa dallim nga mosha, me të marrë komandën, ia nisin të bëjnë “kompetentin” në trajtimin e çështjes sipas direktivës që ka dhënë sekretari i parë. Një prej tyre është edhe ustai i shkollës sovjetike, ish-zëvendësprokurori i disa proceseve politike dhe ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, shoku Njazi Jaho. Tani kishim kohë pa e parë. Edhe njerëzia pyeste ku është Njaziu, se sekretari i parë kishte lëshuar disa teza për punë zgjedhjesh e tani duhej “kompetenti”. Por, si duket, ishte kohë vere dhe “Stilografi” donte disa kohë të mbrehej, se i ishte mbaruar e tharë fare boja. Por, ja, tani në kohën e duhur “Stilografi” u furnizua me bojë sovjetike të klasit të parë dhe i pompuar nga sekretari i parë filloi të nxjerrë diarrenë e tij “konstitucionale” se, helbete, është i shkollës sovjetike.
Tani do thoni ju lexues të dashur çfarë ka thënë “Stilografi”? Po ja, është fare e thjeshtë. Edi Rama del përditë e thotë se duhet lënë çdo punë në Shqipëri e të merremi me kutitë e votimit.
“Si urdhëron” thotë Njaziu, “peqe padron, ja tani po e shpjegoj edhe juridikisht”.
Se çështja shfaqet si ajo puna e gjyqeve që bënte dikur Njaziu. Kur ia hodhi në konferencën e Tiranës më 1956 e kur shkoi zëvendësprokuror në Elbasan, Njaziu të plaste në burg duke të lexuar ndonjë fjalim të Enverit apo Stalinit si provë të fortë.
Mjafton të lexosh sot pretencat bolshevike që ka dhënë juristi i uçilishteve, për t’i vënë menjëherë vizën për ta kaluar tek të pakonsiderueshmit. Por, ja, që të tillë në shoqërinë tonë kanë marrë monopolin e “të vërtetës dhe anës profesionale”, a thua se ka nevojë sot vendi për juristët e dalë nga shkolla moskovite. Edhe për kutitë duhej mendimi i “Stilografit”. Tani, pasi i është tharë boja e vjetër moskovite, mbi të vjen boja e së njëjtës markë, por prodhim i fundit, prodhim edvinist, hibrid i nxjerrë nga abuzimet me lejet e ndërtimit dhe punët publike në Tiranë.
Dihet që çdo vendim gjykate i formës së prerë është i paapelueshëm të diskutohet në çdo aspekt. Parimi i ndarjes së pushteteve, si dhe pavarësisë në vendimmarrje (jo asaj të keqkuptuar institucionale) mund të ishte shumë e qartë për “Stilografin”, por ky nuk mund të bënte punë tjetër veç asaj që i cakton partia, pavarësisht se është në moshën 86 vjeçare dhe tanimë mund të merrej me një gjë të vlefshme: të mos fusë hundët një herë në jetë, aty ku nuk i takon. Koha sovjetike ka mbaruar pavarësisht se sovjetikë të vegjël kanë ngelur në ndonjë bashki.