Të shpërngulurit e Gërdecit, protestë për dëmshpërblimin
Banorët e fshatrave të dëmtuara nga shpërthimi i Gërdecit protestojnë duke kërkuar dëmshpërblim real për fatkeqësinë që u ra nga papërgjegjshmëria e shtetit në menaxhimin e biznesit të demontimit. Të strehuarit në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës kanë ngritur zërin paraditen e djeshme, duke kërkuar dëmshpërblim të plotë dhe rivlerësim të dëmeve që u janë bërë pasurive të tyre të patundshme në Gërdec dhe fshatrat rreth e rrotull tij. Ndërkohë, ata shprehen të pasigurt për kthimin në zonën që sipas specialistëve deklarohet të jetë tepër e ndotur pas shpërthimit të 15 marsit. Sipas të strehuarve në Durrës, vlerësimet e bëra nga komisionet e ngritura për këtë qëllim nuk janë të sakta, ndërkohë që ka familje të cilat nuk janë përfshirë në listat e përfituesve të dëmshpërblimeve. Pjesa më e madhe nuk i kanë marrë dhe ato para të përcaktuara në bazë të vlerësimit të shtëpive, ndërsa ata që i kanë marrë shprehen se janë të pamjaftueshme dhe se rindërtimi i plotë i shtëpive me to është i pamundur. Një problem tjetër për këtë kategori është dhe infrastruktura rrugore e dëmtuar nga shpërthimi, që pengon kryerjen e punimeve. Për sa i përket zërave se ata së shpejti duhet të largohen nga ambientet e konvaleshencës, familjarët e strehuar aty thonë se nuk do të kthehen në shtëpitë e tyre pa u riparuar plotësisht. "Jeta e fëmijëve tanë është e çmuar dhe nuk mund t‘i lemë në çadra apo shtëpi që shikojnë qiellin", - shprehen ata. Banorët analizojnë më tej pasojat e shpërthimit që u shkatërroi jetën. Për ta, zhvillimi i punëve të përditshme bujqësore dhe blegtorale dhe marrja e fryteve të tyre tashmë është e pamundur. Kullotat janë dëmtuar, qumështi dhe perimet e tyre në tregjet e qyteteve më të afërme nuk do të jenë asnjëherë të preferuara për shkak të kontaminimit të zonës. Rregullisht ata ndjekin informacionet që përcillen për fshatrat e tyre nëpërmjet televizorëve, duke qenë të përditësuar me opinionet e specialistëve mbi situatën dhe mjedisin në Gërdec, Marqinet etj.