E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk vetëkënaqet me famën

Leutrim Rexhepi, djalë i ri dhe tërheqës, i pasionuar pas modës që në fëmijëri, tanimë e ka kthyer në realitet ëndrrën e tij të madhe.

Na prezanto veten?

Jam Leutrim Rexhepi, kam lindur në korrik të vitit 1992. Jam 1.81 i gjatë, ndërsa peshoj 72 kg. Jetoj në Prishtinë, jam student i vitit të parë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Jam shumë i hapur, i shoqëruar, i dhënë pas gjërave të mira, mundohem t’u bëj mirë njerëzve që kanë nevojë dhe atyre që kërkojnë ndihmë. Ndërsa kohën e lirë mundohem ta kaloj me familje dhe shoqëri, sepse këta për mua janë një gjë tejet e çmuar.

Kush të ka thëne fillimisht "je për model"?

Të parët që më kanë inspiruar dhe inkurajuar për të qenë pjesë e botës së modelimit ishin prindërit, vëllai dhe motrat. Është familja ajo që më ka shtyrë të hyj në këtë rrugë. Me një fjalë, e kam marrë edhe si obligim për t’ua realizuar dëshirën atyre.

Bota e modës dhe spaktaklit është ëndërr e jotja, apo thjesht një përvojë?

Nuk mund ta mohoj që ka qenë ëndërr e imja e kamotshme. Fatmirësisht më erdhi rasti për t’u zhytur në ujërat e modelimit, nëpër të cilët po notoj tani për tani suksesshëm.

Na flisni për eksperiencën e parë?

Fillimisht kam marrë pjesë në disa sfilata që janë organizuar nga disa agjensione që nuk janë edhe aq të njohura për publikun, megjithatë ka qenë një eksperiencë për mua, të paktën që ta sprovoja veten në këtë fushë.

Je bërë pjesë e "Unë jam Top model". Si po ecën?

Po, jam në grupin e 5-të të edicionit të 9-të të emisionit “Unë jam Top Model”. Ky është edhe një rast tjetër i mirë për mua dhe një shtytje në këtë rrugëtim timin. Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoi organizatorët e këtij emisioni, pastaj fotografit Fidan Mehmeti, dizajnerët si dhe butikun “Stop” në Prishtinë që më ka siguruar në çdo kohë dhe në çdo edicion veshjet për sfilata.

A e ke kuptuar se çfarë duhet pasur për t’u bërë një "top model?

Pamja, vullneti, energjia dhe aftësia për t’u përshtatur.

Tani përballesh me skenën dhe foto-aparatin. Ku ndihesh më mirë?

E kam sprovuar veten edhe para kamerës, mirëpo më mirë po ndihem kur jam para aparatit. Pozimi të jep më shumë kohë për përgatitje edhe emocionale edhe estetike.

Cilat janë ambiciet tua në këtë fushë?

Ky është fillimi, andaj shpresoj që gradualisht dhe me një angazhim edhe më të madh të vazhdoj këtë rrugëtim, duke shpresuar që të arrij suksese edhe më të mëdha dhe që një ditë edhe të prezantoj veshjet e dizjanerëve më të njohur në vend, rajon e pse jo edhe nëpër botë.

Të qenit model kërkon edhe sakrifica: freski në trup e mendje dhe shumë palestër...?

E vërtetë. Natyrisht që ky është edhe parakusht për të hyrë në këtë punë. Ka kohë që kam filluar të merrem edhe me fitnes, pastaj me futboll e shpesh edhe me not, sepse kam vërejtur që këto aktivitete ndihmojnë shumë për të pasur një trup të mirë dhe që i përshtatet kritereve që kërkohen në këtë lëmi.

Tani pasi je bërë model, a ke më shumë shanse me femra?

Jam shumë i afërt e i shoqëruar, andaj shanset asnjëherë nuk më kanë munguar, edhe pse unë nuk jam tip aventurist.

A ke nisur ta ndjesh "peshën" e famës?

Pas prezantimit të fotove dhe pjesëmarrjes në emisionin “Unë Jam Top Model”, vërehet një dozë e famës. Megjithatë, unë nuk vetëkënaqem.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›