E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk zvogëlohen rastet me “ethet hemorragjike”

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga sëmundja “crime kongo” ose “ethet hemorragjike”, e cila shkaktohet kryesisht nga pickimi i rriqrave, situata është nën kontroll. Aktualisht në këtë qendër janë të spitalizuar 16 pacientë të dyshimtë për ethe hemorragjike, gjendja e të cilëve është stabile, ka bërë të ditur për Kosovapress, prof. dr. Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK-së.

“Situata me ethe hemorragjike në Klinikën Infektive është nën kontroll. Aktualisht në Klinikën Infektive janë të spitalizuar 16 pacientë të dyshimtë për ethe hemorragjike, gjendja e të cilëve është stabile. Kryesisht këta pacientë janë nga regjioni i Malishevës”, ka thënë Dreshaj.

Dreshaj, ka shtuar se edhe pse gjendja aktuale e këtyre pacientëve është gjendje stabile shëndetësore, kjo nuk përjashton mundësinë e ndonjë përkeqësi në orët mbrëmjes, ngase sipas tij kjo sëmundje është një koncept dinamik.

Mirëpo ai shtoi se Klinika Infektive është e furnizuar mirë me të gjitha materialet dhe mjetet tjera shëndetësore për t’u ardhur në ndihmë pacientëve.

Se a pritet të rritet ky numër i pacientëve, Dreshaj tha se qershori është muaji kur numri i këtyre pacientëve fillon që të zvogëlohet, mirëpo për shkak situatës klimatike, e cila po ekziston në vendin tonë nuk mund të flitet rreth zvogëlimit të këtij numri.

“Nuk mund të ju them, por sipas përvojës së mëhershme mund të themi se qershori është muaji kur numri i këtyre pacientëve fillon që të zvogëlohet, pra me fundin e qershorit këto raste bien. Po në këtë vit jemi të ballafaquar me një situatë tjetër klimatike, pra kjo situatë nuk i ngjason më verën që jemi mësuar ta kemi, pra verë të ngrohtë, kështu që duhet të jemi më të rezervuar sa i përket situatës me ethe hemorragjike gjatë këtij viti, duhet të shohim si do të sillet situata në përgjithësi”, është shprehur Dreshaj.

Deri më sot nga pickimi i rriqrave në Klinikën Infektive kanë përfunduar me vdekje katër pacientë./kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›