E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piknik në Gazimestan

Me flamuj kombëtarë në duar, bluza të veshura e të ngjyrosura me parulla të ndryshme, ndërkohë që këndonin këngët për trimëritë serbe. Sigurisht, nuk munguan birrat dhe blicet e aparateve. Në fund, u larguan ashtu si erdhën.
Kështu kaloi festa serbe e Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës. Serbët shënuan 621-vjetorin e Betejës së humbur të Kosovës, kundër Perandorisë Osmane.

Mijëra serbë të ndarë në grupe, u mblodhën paraditen e së hënës rreth monumentit në Gazimestan, për të festuar Vidovdanin.

Të ardhurit, edhe pse shumica në moshë të re, dukeshin sikur u ka ndaluar ora 15 vjet më parë. Veshja e tyre dallon shumë nga ajo që të rinjtë tash pëlqejnë. Dhe kjo vërehej nga flokët e deri te këpucët. Një pamje që sot mund të gjendet vetëm në vitin 1995, në arkivat e televizioneve. Për ta, dukej se kjo ishte më shumë një ditë pikniku. Pamja që ofronin ishte një lodhje nga politika, të cilën më shumë se 300 kilometra larg ua ofron Beogradi zyrtar. Ndërkohë, po aq të lodhur edhe nga politikanët serbë që gjenden në Kosovë, shumica as që u afrua të dëgjojë se kush mbante fjalime. Se kush fliste për paqe, e kush bekonte tokën e premtuar.

Dhjetëra autobusë të mbushur me serbë kryesisht nga Kragujevci, Rashka e Veriu i Kosovës, mbërritën rreth orës 12 të së hënës në Gazimestan.

Para tyre, mbërritën rreth 500 serbë me motoçikleta të cilët kishin hyrë nga veriu i vendit, në mënyrë të organizuar, e nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Derisa serbët e mbledhur prisnin që ceremonia zyrtare të fillonte me ardhjen e patriarkut Irinej, ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, apo ambasadorit rus në Beograd ,Vladimit Kuzmin, kishte të atillë që luteshin për një bashkëjetesë të mirë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Një prej tyre është Budimir Spasiq, kryetar i Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës për Kosovë. Sipas tij, shqiptarët dhe serbët duhet të bashkëjetojnë.
“Ne duhet të jemi të bashkuar, të jetojmë bashkë, mirëpo më dhimbset populli shqiptar që po jeton në kushte të këqija për shkak të okupimeve të huaja”, ua qante hallin Spasiq, atyre që deri para dhjetë vjetësh i përshëndeste me tytë të pushkës.

Pasi mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije përfundoi të gjitha ritet fetare, tha se në këtë vend ka ndodhur lufta mes të drejtës dhe të padrejtës, mes njerëzores dhe jonjerëzores dhe mes dhunës dhe lirisë.

“Ky 621-vjetor e pasqyron të ardhmen dhe të kaluarën tonë. Në këtë Vidovdan, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë vend, në radhë të parë për neve që jemi pasardhës të Car Llazarit, për të drejtën e Zotit, për të vërtetën dhe të tjerët që do ta zgjedhin fatin e këtij vendi. Shpresojmë që edhe ata në emër të Zotit dhe të së vërtetës të sjellin më të drejtën për këtë vend”, tha mitropoliti Amfilohije.

Liderët fetarë bashkë me ata politikanë të pranishëm në këtë shënim të Vidovdanit, paraprakisht përfunduan ceremonitë fetare edhe në manastirin e Graçanicës.

Gjatë shënimit të këtij përvjetori, i pranishëm ka qenë edhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic. Një ditë më parë, ai deklaroi në Graçanicë se synimi i Beogradit në Kosovë është të mos rrezikojë askënd, por të kërkojë zgjidhje për jetë të përbashkët.

Duke folur për mediat e Beogradit, Bogdanoviq ka thënë se qëllimi i tyre nuk është të poshtërojmë cilëndo anë, meqë, sipas tij, ata e dinë se çfarë do të thotë kjo dhe se qëllimi i tyre nuk është që cilido të ndihet se po humb. “Qëllimi ynë është të gjejmë zgjidhje, të mbrojmë atë që është e jona dhe të bëjmë të mundshme ekzistencën e mëtejshme të institucioneve tona, të popullit tonë dhe të kishës sonë”, është shprehur Bogdanoviq. Ai ka deklaruar se Serbia do të jetë e suksesshme vetëm nëse mbron dhe kultivon stabilitetin dhe unitetin midis shtetit dhe popullit, sepse, sipas tij, kjo është “parakusht për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë”.

Ndërkohë, patriarku serb, Irinej ka deklaruar se populli shqiptar ka të drejtën e pamohueshme për të ekzistuar në Kosovë, por ka theksuar se këtë të drejtë e kanë edhe serbët, për të cilët tha se Kosova është atdheu i tyre.

Në mesazhin e tij, Irinej gjatë një ligjërate për festën e Vidovdanit, tha se shpreson që për Kosovën të gjendet një zgjidhje, e cila do t'i kënaqte të dyja palët, serbët dhe shqiptarët.

“Zgjidhja e cila do të kënaqte vetëm një palë, nuk është zgjidhje, por arsye për përçarje, ndërsa këtë nuk e dëshirojmë as ne, as ata të cilët në Kosovë duan të kenë vendin dhe shtetin e tyre. Ky vend na takon neve si popull historik në këto hapësira, por u takon edhe atyre të cilët janë me ne dhe shpresojmë për një zgjidhje, e cila do të kënaqte të dyja palët”, ka thënë patriarku serb.

Serbët e mbledhur nga shumë vise të ndryshme janë shpërndarë andej nga kanë ardhur.
Policia e Kosovës ka njoftuar se nuk është shënuar asnjë incident me rastin e shënimit të Vidovdanit. Rreth 1 mijë e 500 policë janë angazhuar që kjo festë të kalojë pa incidente.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›