E Diel, 1 Nëntor 2026

“Numërimi i çdo vote e bën procesin transparent - demokracia provon fuqinë kur rezultati është i ngushtë”

01-06-2011 / Gazeta 55

Flet Lulzim Basha, kandidati fitues për bashkinë e Tiranës

Kandidati demokrat për Bashkinë e kryeqytetit, Lulzim Basha, deklaroi të martën se “numërimi i fletëve të kontestuara dhe dëgjimi i zërit të çdo qytetari të Tiranës, e bën procesin transparent”.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha se “Çdo votë për kryetarin e Bashkisë, si votat e hedhura në kutitë e tjera, ashtu  edhe ato të kontestuara, qytetarët shqiptarë po i shohin drejtpërdrejt në ekran. Çdo votë është parë dhe numëruar në sytë e të gjithëve, në televizion. Dhe sërish, kundërshtari im dëshiron që ju të mendoni se ka manipulime. Ndërsa thotë kështu, nuk paraqet asnjë  provë dhe asnjë fakt. Madje, asnjë komisioner i partisë së tij, direkt i përfshirë në proces, nuk ka ngritur asnjë pretendim ligjor”.
Duke reaguar ndaj deklaratës së rivalit socialist për Tiranën, Edi Rama, i cili e konsideroi “kanibalizëm” procesin e rivlerësimit të votave nga KQZ-ja, Basha u shpreh se, ky është shansi për të treguar që demokracia institucionale funksionon dhe është e qëndrueshme.
“Është e rëndësishme të themi se në shqyrtimin që po i bëhet tani që flasim votave të kontestuara në KQZ, proces që kandidati tjetër e quajti kanibalizëm, ai ka marrë 4 vota më shumë se sa unë. Nuk është kanibalizëm të përfshish votat në këtë proces transparent, pavarësisht se për kë janë hedhur ato. Është kanibalizëm të përjashtosh votat nga procesi. Ne jemi dëshmitarë që asnjë manipulim nuk ka ndodhur dhe deklaratat e kundërta me këtë fakt, janë veçse qesharake”, nënvizoi Basha.
Ai theksoi se “ne jemi dëshmitarë se nuk ka ndodhur asnjë manipulim”.
“Le të jemi të qartë se për çfarë po flasim. Është fare e thjeshtë: a duhet të numërohet çdo votë apo jo? Unë besoj se po. Kandidati tjetër, mendon se nuk duhet. Ndërsa unë mendoj se e drejta është në anën time, nuk jam unë ai që vendos për këtë, por janë në fakt institucionet kushtetuese bashkërisht të pranuara. Rivali im nga ana tjetër, nuk dëshiron të pohojë se është kundër dëgjimit të zërit të çdo qytetari, kështu që në vend të këtij pohimi ka lançuar një fushatë për të përbaltur procesin dhe për të ushtruar presion dhe bërë kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese”, tha Basha.
Sipas tij, demokracia e provon fuqinë kur rezultati është tepër i ngushtë nëpërmjet respektimit të çdo vote.
“Unë nuk kam ndërmend ta ndjek në këtë rrugë. Unë besoj se çdo votë duhet numëruar dhe zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar. Por unë besoj gjithashtu se është tërësisht e papranueshme  për çdo kandidat, parti apo individ që të kërcënojë ose të përpiqet të ushtrojë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor për të marrë vendimin e tyre bazuar ne çdolloj konsiderate tjetër, përveç  ligjit. Demokracia funksionon më lehtë kur rezultati është i thellë, por demokracia e provon fuqinë dhe qëndrueshmërinë e saj  kur rezultati është i ngushtë vetëm nëpërmjet respektimit të verdiktit të çdo zgjedhësi, veprimit vetëm brenda institucioneve dhe zbatimit të ligjit. Unë kam besim se ne mund të provojmë para botës mbarë se Demokracia jonë është e qëndrueshme, se ajo nuk funksionon mirë vetëm kur rezultati është i thellë, por veçanërisht kur kemi një rezultat të ngushtë. Por më shumë se kaq unë kam besim tek ju, tek qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar dhe vullneti juaj, zëri juaj dhe vota juaj duhet të respektohet nga të gjitha palët. Dhe bash për këtë arsye, çdo votë duhet të numërohet dhe zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet”, tha Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›