E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedura e numërimit transparente, garanton integritetin e kutive

01-06-2011 / Gazeta 55

Reagon zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli
 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënësit Leonard Olli, garantoi të martën se kqyrja dhe rivlerësimi i votave të kontestuara mbështetet mbi një procedurë tërësisht transparente dhe ligjore. “Subjekti politik Partia Demokratike kërkoi nga KQZ rivlerësimin e të gjitha fletëve që ndodhen në zarfet e fletëve të votimit të kontestuara në 26 Qendra Votimi, por edhe më gjerë dhe reflektimin e tyre në rezultatin e përgjithshëm për Kryetar, Bashkia Tiranë. Kërkesa për këqyrjen e zarfeve ku ndodhen fletët e votimit të kontestuara në 26 qendra votimi, u pranua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si një kërkesë e bazuar në ligj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjen me vend të sqarojë edhe njëherë mbarë opinionin publik se, procedurat e marrjes në dorëzim të kutisë së fletëve të votimit dhe asaj të materialeve zgjedhore nga ana e tij, janë tërësisht transparente dhe garantojnë në mënyrë absolute  integritetin e këtyre kutive”, shpjegoi Olli.
Pas miratimit më herët të kërkesës ankimore të PD-së për rivlerësimin e votave të kontestuara, që ndodhen në 26 kuti të katër KZAZ-ve të Tiranës, zëdhënësi i KQZ-së shpjegoi për mediat procedurën që do të ndiqet nga ky institucion për këtë qëllim.  
Olli hodhi poshtë pretendimet e përfaqësuesve të opozitës për mungese transparence dhe integritet të dyshimtë të kutive të votimit nga vendi ku ato janë magazinuar apo mënyrën e transportimit të tyre.
“Të gjitha kutitë me fletët e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore, i janë dorëzuar me proces-verbalet përkatëse nga kryetari, nënkryetari dhe sekretari i çdo KZAZ-je, Drejtorisë së Logjistikës në KQZ. Ndërkohë që tabelat e rezultateve për çdo Qendër Votimi dhe tabelat përmbledhëse të rezultateve për çdo ZAZ, së bashku me librin e protokollit të mbledhjeve të KZAZ-së, procesverbalin e konstatimit, regjistrin e vendimeve etj., depozitohen, po prej tyre, në Zyrën e Regjistrimit të Akteve dhe Dokumentacionit në KQZ. Integriteti i padiskutueshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm nga kushdo, i këtyre kutive qendron edhe në faktin se, në çdo tabelë rezultati të përpiluar nga çdo grup numërimi, për secilën Qendër Votimi, në kolonën përkatëse të saj, shënohen numrat e vulave të kodeve të sigurisë, me të cilët është mbyllur çdo kuti, ku gjenden fletët e votimit, por edhe të dhëna të tjera të patjetërsueshme sikundër numri i zgjedhësve që kanë votuar, fletët e votimit të gjendura në kuti, fletë votimi të pavlefshme dhe fletët e votimit të vlefshme për secilin kandidat”, tha Olli.
Sipas tij, ka të dhëna të tjera të pakontestueshme brenda procesverbaleve, numrin e zgjedhësve, fletët e gjendura në kutitë, fletët e votimit të pavlefshme.
“Çdo subjekt politik zgjedhor apo palë e interesuar disponon kopje të kësaj tabele. Për rrjedhojë, kushdo mund të verifikojë në çdo moment të hetimit administrativ përputhjen e numrave të kodeve të sigurisë me të cilat janë mbyllur këto kuti apo të gjitha të dhënat e tjera”, sqaroi më tej Olli.
Zëdhënësi Olli shtoi se kutitë transportohen nga magazinat drejt ambienteve të KQZ-së ku bëhet dhe këqyrja e tyre. “Drejtoria e Logjistikës, sapo vihet në dijeni për kërkesën e KQZ-së, në shoqërimin e nëpunësve të administratës i transporton nga ambientet ku ruhen këto kuti drejt sallës së mbledhjeve të KQZ-së, ku kryhet dhe publikisht procedura e shqyrtimit administrativ dhe këqyrjes së tyre.  Njëkohësisht gjatë hetimit nga ana e KQZ verifikimi i kodeve të sigurisë është i dyfishtë, pasi njëherazi verifikohen nga tabela e rezultatit të çdo QV-je kodet me të cilat është mbyllur kutia me fletët e votimit, me procesverbalin e dorëzimit nga ana e KZAZ-së, në KQZ. Më pas, të gjitha këto të dhëna pasqyrohen në proces- verbalin e mbledhjes së KQZ-së, sipas të gjitha procedurave që parashikon Kodi dhe aktet nënligjorë të KQZ-së”, përfundoi zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›