E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria ka tërhequr interesin e kompanive të huaja për investime

Kryeministri Berisha drejtoi sot, pranë Këshillit të Ministrave, mbledhjen e Task Force për Reformën Rregullatore. Në mbledhjen e sotme u diskutua mbi Qendrën Kombëtare të Aplikimit të Energjisë (QKAE) dhe alokimin e kësaj qendre pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. Në çelje të kësaj mbledhjeje, Kryeministri Berisha u shpreh se në vazhdim të reformës rregullatore të tregut, kjo mbledhje do të shqyrtonte një çështje shumë të rëndësishme siç është QKAE, One STOP SHOP për energjinë, e cila u ngrit rreth një vit më parë, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ai nënvizoi se ngritja e kësaj Qendre erdhi si domosdoshmëri dhe shtytje pas interesit shumë të madh shqiptar, evropian dhe botëror për energjetikën në Shqipëri dhe biznesin lidhur me këtë fushë. Shqipëria, tha Kryeministri, ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer për t’u shndërruar në një superfuqi të vërtetë energjetike në rajon, e vendosur në bririn më perëndimor të gadishullit, më pak se 100 km nga një nga tregjet më të mëdha në Evropë të energjisë, siç është tregu italian, e pasur në burimet e saj për energji të rinovueshme.
”Shqipëria ka tërhequr interesin e kompanive të të gjitha përmasave për të investuar në Shqipëri, nga ato më të mëdhatë në Evropë, deri tek kompanitë e vogla shqiptare dhe të huaja. Qendra e ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëri hapat e para, por qëllimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë dhe i prerë, që kjo qendër të kalonte pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›