E Diel, 1 Nëntor 2026

Numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë, është disafishuar

-          Projekti i ullirit mbetet parësor në të gjitha aplikimet e fermerëve. Po ndizet çdo ditë e më shumë “ethja” e ullirit, ku përmes subvencionimit, janë mbjellë mbi 2 milionë rrënjë ullinj në 4 muaj.

Kryeministri Berisha u shpreh sot gjatë mbledhjes së qeverisë se numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë, është disafishuar. Ky është një hap shumë pozitiv, theksoi Kryeministri, duke vënë në dukje se aplikimet bëhen me projekte të qarta, të studiuara dhe të mirëpërcaktuara.

Kryeministri tha se në këto aplikime kryeson projekti i ullirit. “Ata që po merren me vlerësimin e projekteve konstatojnë se numri i projekteve fituese është shumë i madh. Në këtë drejtim, veçanërisht është ndezur dhe po ndizet çdo ditë e më shumë ajo që mund ta quajmë “ethja” e ullirit, ku përmes subvencionimit, janë mbjellë mbi 2 milionë rrënjë ullinj në 4 muaj”, tha Kryeministri. Ai nënvizoi se për rreth  gjysmë viti, janë mbjellë pothuajse sa gjysma e numrit të rrënjëve të ullinjve që ekzistojnë në Shqipëri, ku janë gjithsej rreth 5 milionë rrënjë.

Kryeministri tërhoqi vëmendjen që granti i qeverisë t’u lëvrohet fermerëve fitues nga aplikimi, sipas sezonit dhe specifikave përkatëse, ku projekti i ullirit mbetet parësori.

Gjithashtu, Kryeministri tha se për zonën verilindore dhe juglindore, për zonën nga Delvina deri në Dukagjin, do të përpunohen kritere të reja, rigorozisht të bazuara në projekte, pasi sipas tij, për këtë zonë nuk mund të jenë të vlefshme kriteret e Myzeqesë, të Lezhës, Shkodrës apo Korçës.

Kryeministri evidentoi faktin se në 3 vjet, pothuajse është dyfishuar prodhimi i frutave në vend. Veçanërisht prodhimi I mollës ka njohur një zhvillim shumë të madh, në rrethin e Korçës, Pogradecit, Kolonjës e Dibrës. Ka rënë ndjeshëm importi i frutave, por akoma edhe më shumë duhet të bjerë. Gjithashtu, ka rritje edhe të prodhimit të frutave, zarzavateve, mishit e bulmetit.

Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se krahas nxitjes për fermerët, ministria e Bujqësisë duhet të ketë programe informative, përmes mediave lokale, për të informuar intensivisht fermerët për çmimet e bursës dhe çmimet e tregut. “Duhet t’u kërkohet fermerëve të mos u referohen çmimeve të doganave. Ky është një gabim i madh, sepse në jo pak raste çmimet e doganave kanë synim mbrojtjen e tyre. Ai duhet të njihet me çmimin e bursës dhe çmimin e tregut dhe më pas të bëjë llogaritë vet”, tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë me programin e rimbursimit e granteve për bujqësinë, sepse ky program po jep efekte të shkëlqyera, krahasuar me akcizën e famshme. “Ju e dëgjuat sërish kryetarin e opozitës kur foli për akcizën. Pra, politika e re e çoi atë sërish tek akciza, sepse akciza përfundon në xhepat e pushtetarëve, ndërsa investimi në prodhime, agrobiznesi, ulliri, vreshta, bleta, përpunimi i prodhimeve, kapacitetet ftohëse, janë realitete që zhvillohen çdo ditë”, u shpreh Kryeministri.


13/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›