Qeveria miraton vendimin për dhënien falas të teksteve shkollore për nxënësit e familjeve në ndihmë ekonomike
- Kryeministri siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë për një tjetër grup të kufizuar njerëzish në vështirësi të skajshme ekonomike, të cilët në tërësi janë nëna me fëmijë jetimë, të divorcuar apo në fatkeqësi të kryefamiljarëve të tyre.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij vendimin për dhënien falas të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar, për të gjithë nxënësit e familjeve me ndihmë ekonomike.
Kryeministri tha se ky vendim merret në kuadër të nismave dhe përpjekjeve të qeverisë për të luftuar varfërinë dhe për të siguruar mundësitë e shkollimit me tekste, për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë kushtet ekonomike.
“Sot ne vendosim dhënien totalisht falas të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar, për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Shteti qëndron në anën e fëmijëve, pasi nuk mund të lejojmë që ai qytetar që ka vështirësi të paguajë shumën e rimbursimit, ta lërë fëmijën e tij pa tekste dhe pa shkollë”, tha Kryeministri.
Ai vlerësoi se ky hap është shumë i rëndësishëm në rrafshin njerëzor, por është një hap shumë i madhe dhe i rëndësishëm edhe për arsimin, pasi nuk do të ketë më nxënës që t’u mungojnë librat në shkollë.
Kryeministri iu referua më tej një studimi të Bankës Botërore, UNDP-së dhe Instituti i Statistikave, duke theksuar se ky studim serioz dëshmon se në një hark kohor 3 vjeçar, 200 mijë shqiptarë dolën qartësisht nga varfëria. Në muajin maj të këtij viti, 170 mijë qytetarë të këtij vendi që kishin të ardhura mujore nën 2 dollarë, kaluan përtej kufirit të varfërisë, me të ardhura mbi 2 dollarë.
Por, vijoi Kryeministri, statistikat janë statistika, ndërkohë që dhimbjet dhe vuajtjet janë individuale, ndaj qeveria është e detyruar të rendë pas tyre.
Në këtë aspekt, Kryeministri tha se një tjetër problem madhor mbetet një kontigjent i kufizuar njerëzish, të cilët në tërësi janë nëna me fëmijë jetimë, ose dhe baballarë të tillë, të divorcuar apo në fatkeqësi. Duke theksuar sërish raportin e BB-së, Kryeministri vuri në dukje ky raport tregon një rënie të ndjeshme të varfërisë së skajshme, prej rreth 60 për qind. “Por sërish ka varfëri të skajshme dhe në mënyrë absolute nuk duhet të ketë. Me shpejtësi, ne do të zhdukim varfërinë e skajshme”, tha Kryeministri.
Në këtë drejtim, shtoi Kryeministri, prefekturat dhe qeveritë vendore kanë filluar të bëjnë një punë shumë të mirë dhe po identifikojnë këto familje që nuk janë kaq të shumta, por që ekzistojnë. Ndaj këtyre familjeve, skema e ndihmës ekonomike do të jetë tjetër, theksoi Kryeministri, duke nënvizuar se qeveria jep 150 milionë euro ndihmë sociale, pra ka mbi dyfishuar këtë fond i cili ka qenë 7 miliardë dhe është bërë 15 miliardë, pa llogaritur aspekte të tjera të ndihmës për këtë kategori.
Por Kryeministri vuri në dukje se ka defekte shumë serioze në skemën e shpërndarjes. Në rast se ky fond nuk mjafton, qeveria është e gatshme të vendosë të tjera, por ajo nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa një rishqyrtim të transparencës dhe ndershmërisë së aplikimit të kësaj skeme. “Unë kam të dhëna shumë të qarta se kjo ndihmë shpërndahet nga këshillat komunal e bashkiak me një farë barazitizmi, që vjen tërësisht nga koncepti dhe mentaliteti socialist, sepse në atë periudhë kur shqiptarët ndanin varfërinë, mendohej se pothuajse të gjithë ishin njësoj dhe meritonin njësoj. Ky koncept duhet të zhduket”, tha Kryeministri.
Detyra e qeverisë, u shpreh Kryeministri, është një shpërndarje dhe një përkujdesje e veçantë e të ardhurave, ndërsa vuri në dukje se asnjë qeveri nuk ka rritur me 3 për qind të GDP-së shpenzimet sociale. Ato kanë qenë 6 për qind dhe qeveria i bëri 9 për qind.
13/05/2009