E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Gërdeci, incident shumë i rëndë

Gërdeci klasifikohet ndër incidentet më të rënda nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për çminimet. 

Aristir Lumezi

Koloneli i ushtrisë amerikane dhe ish-drejtor i Programit Humanitar të Zhvillimit dhe Kërkimit të Demontimit në Departamentin amerikan të Mbrojtjes, George Zahaczewsky, ka përpiluar listën "Incidentet më të mëdha të municioneve - nga 1916 deri në 2008", duke e cilësuar Gërdecin si një ngjarje shumë të rëndë dhe me pasoja të jashtëzakonshme.
"Më 15 mars 2008, një seri shpërthimesh masive dhe vdekjeprurëse ndodhën në depot qeveritare të magazinimit të armëve në Shqipëri në fshatin Gërdec afër Tiranës, duke rezultuar me 24 vdekje, dhe plagosjen e më shumë se 300 personave, si dhe dëme katastrofike në qindra shtëpi dhe struktura të tjera civile brenda një rrezeje  2.5 kilometra", thuhet në raportin e kolonelit amerikan. Sipas tij, "faktorët që ndikuan në shpërthimet fillestare, të cilat sollën një seri shpërthimesh të tjera, përfshinin municion të vjetër e të pastabilizuar, magazinim të papërshtatshëm dhe trajtim të pasigurt". Por, sipas tij, fatkeqësisht ky incident nuk ishte unik, duke sjellë në vëmendje edhe shpërthime të tjera.
"Shpërthime katastrofike në depo të tjera magazinimesh në zona të populluara kanë ndodhur në Uzbekistan dhe Bullgari. Ato janë të fundit të një serie incidentesh që kanë ndodhur gjatë shumë viteve dhe ndër manifestimet e fundit të një problemi ndërkombëtar që është përkeqësuar që në fund të luftës së Ftohtë - depot qeveritare u mbushën me municione të vjetra, të pasigurta dhe të keqmbajtura, të magazinuara në mënyrën e gabuar dhe të pambrojtura", vazhdon më tej raporti. Por sipas kolonelit me përvojë, tashmë në pension, këto "depo të rrezikshme" kanë potencialin për të krijuar edhe më shumë incidente në baza vjetore nga minat e tokës dhe mbetjet eksplozive të luftës.
Monitorimi i minave të tokës ka regjistruar një rekord total prej 5.751 aksidente të njohura në vitin 2006 nga minat e tokës dhe eksplozivët e mbetur në mbarë botën. Vetëm në një pasdite në vitin 2007, një shpërthim katastrofik në një depo municionesh në Maputo, kryeqyteti i Mozambikut, vrau dhe plagosi 600 njerëz dhe 35 raportohen të vrarë nga minat e tokës dhe mbetjet eksplozive në Mozambik në vitet e mëparshme.

Vendet e shpërthimeve

2008
• 10 korrik Uzbekistan
• 3 korrik Bullgari
• 15 mars Shqipëri

2007
• 29 dhjetor Kolumbi
• 29 korrik Siri
• 17 qershor Kongo
• 7 prill Sudan
• 22 mars Mozambik

2006
• 19 tetor Serbi
• 23 mars Afganistan

2005
• 1 tetor Rusi
• 2 maj Afganistan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›