Basha: Të kufizohet mandati i OSBE
Aristir Lumezi
Shqipëria ka kërkuar fokusimin e mandatit të ri të OSBE-së vetëm në dy reformat kryesore, atë zgjedhore dhe reformën në drejtësi. Kjo kërkesë është shprehur qartë në letrën që ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, i ka dërguar kryetarit të radhës së OSBE-së, Alexander Stubb, njëkohësisht dhe ministër i Punëve të Jashtme të Finlandës. Në letrën e tij, ministri Basha duke prezantuar para zyrtarit më të lartë të misionit të OSBE-së arritjet në fushën e demokracisë dhe stabilitetit politik, por dhe të standardeve, kërkon rishikimin e mandatit të OSBE-së në Tiranë dhe fokusonim e tij në çështjet themelore për proceset integruese të vendit, siç janë dy reformat e mëdha që do t'i japin vendit dhe certifikatën integruese. "Ne do të mirëprisnim bashkëpunimin Tuaj për të fokusuar mandatin e ri të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në dy çështje themelore: Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore, me një afat kohor të përcaktuar qartë", shprehet ministri Basha në letrën e tij. Madje, Basha i kërkon kryetarit të radhës të influencojë në arritjen e këtij mandati të ri të fokusuar në këto dy reforma. "Zoti ministër, influenca Juaj si kryetar i radhës i OSBE-së për ndërmarrjen e këtij vendimi politik nga strukturat vendimmarrëse të OSBE-së, do të ishte mjaft e mirëpritur nga unë dhe qeveria shqiptare", shprehet ministri shqiptar. Basha i paraqet kryetarit të radhës së OSBE-së arsyet e rishikimit të mandatit të prezencës në Shqipëri pas gjashtë vjet kontribut, veçanërisht në proceset zgjedhore. "Nisur nga fakti që mandati aktual i pranisë është miratuar para gjashtë vjetësh, si dhe bazuar në tendencat e qarta të progresit demokratik të vendit, si marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit dhe përmbushja e procedurave vijuese për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, nënshkrimi i MSA me BE dhe arritjet e pamohueshme në realizimin e aspiratave tona integruese, gjykojmë se Shqipëria është në stadin kur duhet të marrë gradualisht pronësinë gjithnjë e më të madhe të proceseve, përmes kapaciteteve të rritura profesionale dhe drejtuese të institucioneve shqiptare", shprehet ministri Basha. Në përgjigjen e tij, kryetari i radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm finlandez, Stubb, shprehet se roli i këtij misioni është ai i një partneri afatgjatë në Shqipëri. "OSBE luan rolin e një partneri afatgjatë në asistimin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për vazhdimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe përpiqet të bashkëpunojë me Shqipërinë për realizimin e një sërë projektesh në përputhje me mandatin e pranisë së OSBE-së. OSBE-ja mbetet e gatshme të vazhdojë këtë punë në dobi të popullit shqiptar", shprehet Stubb. Kryetari i radhës i misionit të OSBE-së vlerëson progresin e Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin e saj në proceset demokratike. "Më lejoni fillimisht T'ju siguroj se është për t'u vlerësuar progresi që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, dëshiroj të inkurajoj aspiratat evropiane të Shqipërisë në këto vite. Integrimi dhe bashkëpunimi i ngushtë janë thelbësore për të ardhmen e Evropës, për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e saj", shprehet Stubb në letrën e tij. Por zyrtari më i lartë i misionit nuk merr përsipër të influencojë në kufizimin e mandatit të OSBE-së në Shqipëri.
"Unë do të sugjeroja që projektet e detajuara të pranisë së OSBE-së në Shqipëri të diskutohen në Këshillin e Përhershëm në Vjenë", përfundon letrën e tij kreu i OSBE-së.
letra e Stubb
Shkëlqesia Juaj, I Dashur Koleg,
Ishte kënaqësi T'ju takoja në Stockholm në datën 29 maj 2008. Gjithashtu, dëshiroj T'ju falënderoj për letrën Tuaj të datës 28 maj 2008, në të cilën përsëritet kërkesa për ndryshimin e mandatit të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri.
Më lejoni fillimisht T'ju siguroj se është për t'u vlerësuar progresi që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, dëshiroj të inkurajoj aspiratat evropiane të Shqipërisë në këto vite. Integrimi dhe bashkëpunimi i ngushtë janë thelbësore për të ardhmen e Evropës, për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e saj.
OSBE luan rolin e një partneri afatgjatë në asistimin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për vazhdimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe përpiqet të bashkëpunojë me Shqipërinë për realizimin e një sërë projektesh në përputhje me mandatin e Pranisë së OSBE-së. OSBE mbetet e gatshme të vazhdojë këtë punë në dobi të popullit shqiptar.
Unë do të sugjeroja që projektet e detajuara të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri të diskutohen në Këshillin e Përhershëm në Vjenë.
Sinqerisht i Juaji,
Alexander Stubb
Ministër i Punëve të Jashtme të Finlandës
Kryetari i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
letra e bashes
Shkëlqesia Juaj, zoti Ministër Stubb
Më lejoni t'ju shpreh vlerësimin e lartë të Qeverisë Shqiptare dhe timin personalisht për angazhimin dhe përkushtimin në punën Tuaj si Kryetar i Radhës së OSBE-së.
Me këtë rast, dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj kërkesën e Shqipërisë, tashmë të shprehur edhe në forumet e OSBE-së në Vjenë, për ndryshimin e mandatit të Pranisë së OSBE-së në vend.
Duke kërkuar ndryshimin e mandatit të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, dua T'ju siguroj, i nderuar Ministër, për vlerësimin maksimal të Qeverisë Shqiptare për punën dhe asistencën e saj në zhvillimet demokratike në vend. Në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj gatishmërinë tonë për të filluar procesin e negociatave, në mënyrë që të kalojmë në një fazë të re marrëdhëniesh me OSBE-në dhe Praninë e saj në Shqipëri, duke synuar kështu realizimin e disa prioriteteve madhore të integrimit evropian të Shqipërisë. Nisur nga fakti që mandati aktual i pranisë është miratuar para gjashtë vjetësh, si dhe bazuar në tendencat e qarta të progresit demokratik të vendit, si marrja e Ftesës në Samitin e Bukureshtit dhe përmbushja e procedurave vijuese për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, nënshkrimi i MSA me BE dhe arritjet e pamohueshme në realizimin e aspiratave tona integruese, gjykojmë se Shqipëria është në stadin kur duhet të marrë gradualisht pronësinë gjithnjë e më të madhe të proceseve, përmes kapaciteteve të rritura profesionale dhe drejtuese të institucioneve shqiptare. Për këtë arsye, ne do të mirëprisnim bashkëpunimin Tuaj për të fokusuar mandatin e ri të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në dy çështje themelore: Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore, me një afat kohor të përcaktuar qartë.
Së fundi, zoti Ministër, influenca Juaj si Kryetar i Radhës i OSBE-së për ndërmarrjen e këtij vendimi politik nga strukturat vendimmarrëse të OSBE-së, do të ishte mjaft e mirëpritur nga unë dhe Qeveria Shqiptare.
Duke shpresuar të gjej mirëkuptimin Tuaj për sa më sipër, më lejoni, shkëlqesi, t'ju shpreh sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht
LULZIM BASHA
Biberaj: OSBE ende e domosdoshme në Shqipëri
Qëndrimi i prezencës së OSBE-së në Shqipëri është i domosdoshëm për sa kohë që ne ende nuk kemi pasur zgjedhje sipas standardeve të kërkuara. Kjo deklaratë vjen nga deputeti demokrat Aleksandër Biberaj. Sipas tij, "OSBE-ja ka luajtur një rol shumë pozitiv në Shqipëri gjatë të gjithë periudhës së tranzicionit, gjë që është për t'u përshëndetur, një nga detyrat e saj është misioni vëzhgues për zgjedhjet, gjë të cilën ajo e ka bërë shumë mirë në Shqipëri". Në lidhje me zërat për largimin e saj nga Shqipëria, Biberaj u shpreh se, "është më se normale që të ketë opinione dhe këto të jenë të ndryshme, por unë nuk mendoj që janë pjekur kushtet që OSBE-ja të largohet nga Shqipëria, sepse deri më sot Shqipëria nuk ka pasur zgjedhje të ndershme e të qeta". "Unë uroj që zgjedhjet e vitit 2009 të jenë të lira dhe të ndershme, me qëllim që Shqipëria të shkëputet nga zgjedhjet e kontestuara, në momentin që ky vend shkëputet nga këto zgjedhje të kontestuara mund të rishikohet statusi i OSBE-së. Zërat për largimin e OSBE-së do t'i quaj zëra spontanë të ardhur nga politikanë të partive të ndryshme. Mendoj se qëndrimi i partive të mëdha ka qenë korrekt", u shpreh Biberaj.
Berisha hedh poshtë deklaratat
Kryeministri Berisha ka hedhur poshtë publikimet mediatike se maxhoranca ka ndërmend të kufizojë mandatin e OSBE-së në Shqipëri. Sipas tij, "jo vetëm nuk do të kufizohet mandati i OSBE-së, por do të kërkohet shtimi i vëzhguesve nga të gjitha organizatat në zgjedhjet e ardhshme". "Dëshiroj të falënderoj z. Edvin Rama dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar, se fushatën e ardhshme elektorale qeveria do t'i kërkojë OSBE-së të dyfishojë monitorimin, do të ftojë KE, PE, organizatat dhe IRI, do të ftojë të gjitha NGO-të dhe organizmat e
institucionet që monitorojnë zgjedhjet. Kjo është
detyra ime", deklaroi Berisha.
Mandati i OSBE, denoncimi nga diplomati amerikan
Ka qenë një diplomat i lartë amerikan, i cili në një takim informal me gazetarët, shprehu shqetësim për përpjekjet e maxhorancës për të larguar misionin e OSBE-së nga Shqipëria. Diplomati theksoi se ky fakt, nëse del i vërtetë, do të ishte fatal dhe se në këtë rast, ashtu si edhe në rastin e ligjit të ri për Prokurorinë, do të sjellë reagimin publik të Uashingtonit.