Nuse edhe para moshës 15 vjeçare te disa pakica

Rreth 12% e femrave nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë janë martuar para moshës 15 vjeçare dhe 43% para moshës 18 vjeçare. Kështu thuhet raport me treguesit kryesorë të dalë nga Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (e njohur botërisht si MICS).
Kjo anketë e MICS-it është realizuar në Kosovë në vitet 2013-2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si pjesë e programit global të MICS-it, të krijuar nga UNICEF-i në vitet 1990.
MICS-i në Kosovë është organizuar paralelisht edhe te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, për të cilët anketa është bazuar në një mostër të veçantë.
Disa nga gjetjet kryesore të MICS-it për Kosovën janë se 1 në 8 femra në Kosovë kanë së paku një lindje të gjallë në 2 vitet e fundit.
E gjetur tjetër është se 15 fëmijë në çdo 1.000 të lindur të gjallë nuk do ta arrijnë ditëlindjen e tyre të pestë, për shkak të shkallës së lartë të vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç, apo probabiliteti i vdekjes ndërmjet lindjes dhe ditëlindjes së pestë.
E gjetur tjetër është se 1 në 3 femra në Kosovë nuk janë duke përdorur asnjë metodë kontraceptive dhe më shumë se gjysma e tyre janë duke përdorur tërheqjen, e cila nuk konsiderohet metodë moderne;
Në raport thuhet se vetëm 14% e fëmijëve në gjithë Kosovën vijojnë arsimin në moshë të hershme, ndërsa 1 në 4 femra nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë nuk dinë shkrim-lexim (analfabet).
Po ashtu thuhet se vetëm 6% e baballarëve janë angazhuar me fëmijët e tyre, në katër ose më shumë aktivitete, që promovojnë të mësuarit dhe përgatitjen për shkollim, në 3 ditët të fundit.
Më tej thuhet se 11% e fëmijëve janë të angazhuar në punë.
Në anketa thuhet se pothuajse, gjysma e femrave deklarojnë se një burrë arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan e tij, për arsye ose rrethana të ndryshme, ndërsa 4 në 5 ekonomi familjare në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë kanë praktikuar ndonjë formë të disiplinimit të dhunshëm (dhunë psikologjike, ose dhunë fizike gjatë muajit të fundit).
Ndërsa gjetjet kryesor të MICS-it te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë në Kosovë janë se gjysma e femrave në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë kanë pasur së paku një lindje të gjallë në 2 vitet e fundit. 49 fëmijë në çdo 1.000 të lindur të gjallë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë.
Në anketë thuhet se vetëm 1 në 6 femra nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë praktikojnë të ushqyerit vetëm me gji (të ushqyerit ekskluziv me gji), pastaj se vetëm 1 në 3 fëmijë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë janë plotësisht të vaksinuar (kanë marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara sipas kalendarit të imunizimit në Kosovë).
Në Anketën e MICS-it me popullatën e përgjithshme janë intervistuar 4.127 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë rreth 10.000 intervista individuale me femra, meshkuj dhe nëna (ose kujdestarë), me një shkallë shumë të lartë të përgjigjes, prej 94%.
Po ashtu në Anketën e MICS-it me komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë janë intervistuar 1.118 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë rreth 3.000 intervista individuale me femra, meshkuj dhe nëna (ose kujdestarë), me një shkallë shumë të lartë të përgjigjes, prej 95%.
MICS në Kosovë është realizuar me mbështetjen financiare të UNICEF-it, Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Dukatës së Madh të Luksemburgut, UNFPA-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Ndërkohë që, UNICEF-i, UNFPA-ja dhe MPMS-ja, si dhe Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyra për Planifikim Strategjik dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ishin të përfaqësuar në Grupet Teknike dhe Drejtuese Ndër-ministrore. Mbështetja teknike është ofruar gjatë gjithë procesit nëpërmjet delegimit të stafit dhe konsulentëve të UNICEF-it për të punuar së bashku me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, gjatë të gjitha fazave të implementimit të këtyre anketave.