Hyseni në Nju Jork kërkon që Kosova të bëhet pjesë e INTERPOL-it

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, i cili po qëndron për vizitë treditore në Nju Jork, ku pritet të takohet me përfaqësues të OKB-së për sundim të rendit dhe ligjit, si dhe përfaqësues të shumtë të përhershëm të vendeve të akredituara pranë OKB-së, ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e INTERPOL-it.
Gjatë ditës së parë të takimit, Hyseni ka zhvilluar takime me Stefan Feller, shef i divizionit policor në departamentin për operacionet paqeruajtëse të OKB-së, me të cilin ka zhvilluar një diskutim substancial rreth bashkëpunimit policor ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Hyseni në takim foli edhe për përmbajtjen e aplikacionit për anëtarësim në INTERPOL të cilin Kosova e ka dorëzuar në fund të prillit, duke ftuar të gjitha agjencitë përkatëse të OKB-së që ta përkrahin këtë anëtarësim.
"Ka ardhur koha kur Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj të plota në rrafshin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Me gjithë respektin për rolin e UNMIK-ut deri më tash është nevojë e kohës dhe domosdo që Kosova të ketë qasje direkt në informacionin e INTERPOL-it dhe të ofrojë informacion në kthim rreth çështjeve që bien nën jurisdiksionin e INTERPOL-it", ka thënë ai.
Ndërsa Feller, duke folur për të arriturat e Kosovës në fushën e krijimit të kapaciteteve për luftimin e krimit të organizuar transnacional, tha se është e rëndësishme që Kosova të përkrahet në përpjekjet e saja për bashkëpunim ndërkombëtar policor.
Ndërkohë që, të martën, ministri Hyseni është takuar edhe me Jane Hall Lute, ndihmëse e sekretarit të përgjithshëm, e ngarkuar po ashtu për rialokimin e banuesve të Kampit Hurriyah jashtë Irakut, me të cilën ka diskutuar për punën që Kosova po bën në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Në takimet që Hyseni zhvilloi, të gjithë bashkëbiseduesit janë pajtuar se Kosova duhet të bëhet pjesë e organizmave ndërkombëtarë dhe kanë ofruar përkrahjen e tyre që kjo të arrihet.