Nuse përpara 20 vjetësh, Nuse në ditët e sotme
NUSE PËRPARA 20 VJETËSH
Emri / Mbiemri?
Manjola Kapoli
Mosha?
40 vjeç
Kur jeni martuar?
18 korrik 1987
Si u njohët me bashkëshortin?
Me shkuesi
Çfarë kujtoni nga dita e dasmës?
Është kujtimi më i bukur i jetës.
Si ishte fustani juaj?
Ishte tyl i thjeshtë me një bolero sipër. E sigurova me ndihmën e një shoqeje.
Sa kushtoi?
Tre mijë lekë (të vjetra).
Ku dhe si u organizua banketi?
Në shtëpi. U kujdesën njerëzit e shtëpisë.
Cilat ishin ritualet që ndoqët para apo pas ceremonisë?
Vjehrra priste tek dera për të më lyer dy gishtat me mjaltë. Plus, sipas zakonit, nusja duhet të kërcente valle me të gjithë të ftuarit.
A u nisët diku për muajin e mjaltit?
Jo. Ishin të rrallë ata që niseshin për muaj mjalti atëherë.
Ku jetonit si të sapomartuar?
Në shtëpinë eprindërve.
Po tani?
Tani kemi shtëpinë tonë dhe jetojmë me dy vajzat.
Çfarë mardhëniesh keni me prindërit e bashkëshortit?
Kam patur mardhënie shumë të mira. Tani, fatkeqësisht, nuk jetojnë më.
Cilat janë detyrat e nuses, sipas jush?
Nusja duhet të kujdeset për familjen, për shtëpinë, të edukojë fëmijët, të jetë e kujdesshme në mënyrën si flet dhe si sillet.
Si mund të konsiderohesh një nuse e mirë?
Askush nuk pranon se nuk është nuse e mirë. Prandaj këtë le ta shprehin të tjerët.
Po një vjehërr e mirë?
Kur nuk ndërhyn në marrëdhëniet e djalit me nusen dhe nuk shkakton debate të panevojshme. Për më tepër, nuk duhet të lejojë që, keqkuptimet e vogla, t’i shndërrojë në objekt bisede për të tjerët.
Cilat janë arsyet e zënkave mes vjehrrës dhe nuses?
Janë pa fund, mendoj. Edhe nga gjërat e vogla mund të shpërthejë lufta.
Besoni në thënien se vjehrra është gjithmonë e keqe për nusen dhe nusja gjithashtu për vjehrrën?
Kjo ndodh kur ka keqkuptime, por, në një mardhënie normale, nuk ka pse të jetë kështu.
Sa e rëndesishme është për ju një familje e bashkuar?
Është themeli i çdo shtëpie, nëse secili shikon vetëmpunën e tij nuk ka kuptim jeta.
Më mirë familja e madhe tradicionale, apo familja e vogël?
Të dyja kanë të mirat dhe të këqijat e tyre, megjithatë, në ditët e sotme, familja e vogël është më e favorshme.
NUSE NË DITËT E SOTME
Emri / Mbiemri?
Luiza Senko
Mosha?
28 vjeç.
Kur jeni martuar?
6 gusht 2005.
Si u njohët me bashkëshortin?
Na prezantoi një e njohura jonë, u pëlqyem dhe u dashuruam.
Çfarë kujtoni nga dita e dasmës?
Vapën e tmerrshme dhe lumturinë e madhe që ndjen çdo vajzë në atë ditë.
Si ishte fustani juaj?
I bardhë, i gjatë, i fryrë në pjesën e poshtme dhe bust me gurë të shndritshëm në pjesën e sipërme.
Sa kushtoi?
U mor me qera në një sallon nusesh dhe kushtoi 30 mijë lekë të reja
Ku dhe si u organizua banketi?
Darka u përgatit nga restoranti ku vendosëm të bëhej ceremonia. Kishte muzikë live. Gjithçka u organizua nga motrat dhe vëllai im
Cilët ishin ritualet që ndoqët para, apo pas ceremonisë?
Djegia e shamisë nga dhëndri, hedhja e bukës nga nusja dhe kërcimi tradicional i çiftit.
A u nisët diku për muajin e mjaltit?
U nisëm menjëherë për disa ditë në Golem.
Ku jetonit si të sapomartuar?
Në një shtëpi të re, të pregatitur posaçërisht për ne.
Po tani?
Në të njëjtën shtëpi, me ndryshimin e vetëm se tani jemi katër, bashkë me dy vajzat e vogla.
Çfarë marrëdhëniesh keni me prindërit e bashkëshortit?
Shumë normale.
Cilat janë detyrat e nuses, sipas jush?
Nuk mendoj se nusja sot duhet të ketë detyra të caktuara, secili jeton sipas mënyrës së vet.
Si mund të konsiderohesh një nuse e mirë?
Vetëm duke treguar respekt.
Po një vjehërr e mirë?
E njëjta gjë.
Cilat janë arsyet e zënkave mes vjehrrës dhe nuses?
Kryesorja është përplasja e mentaliteteve.
Besoni në thënien se vjehrra është gjithmonë e keqe për nusen dhe nusja gjithashtu për vjehrrën?
Nuk besoj në thëniet qe përgjithësojnë fenomenet.
Sa e rëndësishme është për ju një familje e bashkuar?
Familja duhet të jetë gjithmonë e bashkuar, pavarësisht nëse jetojnë apo jo nën të njëjtën çati.
Më mirë familja e madhe tradicionale, apo familja e vogël?
Sot për sot familja e vogël.