E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuset braktisin burrat, shpallen në kërkim

DURRËS/ Dy shtetase janë shpallur në kërkim nga policia e Durrësit pasi janë zhdukur pa lënë asnjë adresë


Burime nga policia bëjnë të ditur se një nga nuset u largua nga shtëpia e tjera u zhduk në stacionin e autobusit


DURRËS - Dy nuse janë larguar nga burrat e tyre. Të vënë përballë largimit të nuseve burrat nuk kanë pasur mundësi tjetër veprimi përveçse t'i drejtohen dyerve të policisë për të bërë denoncimin e zhdukjes.


Në rastin e parë ka qenë vjehrri që ka bërë denoncimin për zhdukjen e nuses së djalit, ndërsa në rastin e dytë vetë djali ka deklaruar zhdukjen e së fejuarës së tij.
Burimet nga policia shprehen se një shtetas është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se nusja e të birit është larguar nga banesa.


Sipas bluve, shtetasi R.A., 63 vjeç, lindur në Mat e banues në lagjen Nr.14 të Durrësit, ka bërë një kallëzim penal për 20-vjeçaren B.A., e cila ishte nusja e djalit. Kjo e fundit është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa nga vetë denoncuesi nuk është dhënë asnjë arsye për një veprim të tillë të nuses 20-vjeçare.


Viktimë e ikjes së nuses është edhe një tjetër shtetas, i cili ka mbërritur në qytetin bregdetar të Durrësit bashkë me të fejuarën për të bërë një vizitë tek të afërmit e vet. Mësohet se i riu banonte në Tiranë dhe se prej disa vitesh kishte migruar nga Skrapari.


Pasi ka bërë vizitat e zakonshme, ai bashkë me të fejuarën i janë drejtuar autobusit për t'u rikthyer në Tiranë. Por ka qenë edhe kjo koha kur 19-vjeçarja është larguar dhe ai është gjetur i vetëm në stacionin e autobusit.


Pasi ka parë qe e fejuara nuk ishte pranë tij, djaloshi është sorollatur për ca kohë për ta gjetur dhe për të kuptuar se ku janë ngatërruar, por asgjë nuk ka ndodhur. Është rikthyer edhe në stacionin e autobusit, por përsëri asgjë.


Më tej ai ka marrë në telefon të afërmit për t'i pyetur me shpresën se e fejuara ndodhej tek ta, por i kanë thënë që nuk e dinin se ku mund të ishte. Si rrjedhojë, burri i është drejtuar policisë së Durrësit për të bërë kallëzim për ngjarjen.


Burimet zyrtare të policisë shprehen se është paraqitur dhe ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë Durrës shtetasi A.A., lindur në Skrapar e banues në Tiranë, i cili deklaron se më datë 14 mars, rreth orës 13:00, ka qenë në Durrës së bashku me të fejuarën e tij, shtetasen 19-vjeçare E.M., banuese në Berat. Ai ka bërë aktin e denoncimit ku dhe ka saktësuar se "... pasi kanë hipur në një autobus për të udhëtuar drejt Tiranës, kjo e fundit është larguar dhe nuk është kthyer më në banesë".


Policia ka theksuar se duke qenë se humbja e së fejuarës 19-vjeçare ka ndodhur në qytetin e Durrësit, është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për gjetjen e saj. Materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›