E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon vlerësimi i dëmeve nga tragjedia e Gërdecit, nis vlerësimi financiar i tyre

Departamenti i Informacionit në Këshillin e Ministrave, ka njoftuar dje se përfundoi procesi i vlerësimit të dëmeve materiale të shkaktuar nga tragjedia e Gërdecit. Sipas Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile, vlerësimi i bërë nga grupet e ekspertëve të ALUIZNI-t, prefekturës dhe bashkisë së Vorës, arriti në përfundimin se janë dëmtuar 4200 banesa, nga të cilat 412 banesa janë shkatërruar plotësisht dhe 3800 të tjera paraqesin dëmtime të mesme apo të lehta. Komisioni Ndërministror i Emergjencës Civile, në bazë të informacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së dhe Drejtorisë së Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak dhe Informimit, pohon se operacioni është përqendruar në pastrimin e territoreve ku ndodheshin shtëpitë. Në fund të operacionit janë pastruar 80 shtëpi, si dhe një sipërfaqe prej 8 ha. Gjatë pastrimit të zonës janë gjetur 226 predha të paplasura dhe janë identifikuar 220 predha te tjera. Ndërkaq që janë gjetur edhe trupa të pajetë gjatë dy ditëve të fundit, njëra nga të cilët është ende i paidentifikuar ndërsa trupit tjetër i pajetë është i Ilirjan Malçit, ish-fadromist në Regjimentin e Infrastrukturës. Kryetari i Bashkisë Vorë dhe Kryetari i ALUIZNI-t, kanë vizituar zonën e operacionit, duke afruar numrin e popullsisë, si dhe hartën e vendndodhjeve të shtëpive. Nga verifikimet është evidentuar se janë dëmtuar rëndë 500 shtëpi, si dhe 2 nga 10 shkollat e dëmtuara në Gërdec e Marqinet. Në shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve janë 145 vetë, të cilëve u është afruar ndihmë ushqimore nga Kryqi i Kuq, si dhe ndihmë mjekësore nga Qendra e Shëndetit publik Durrës. Ndërkohë, Drejtoria Arsimore e Durrësit ka ofruar, mjete transporti për fëmijët e banorëve të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, me qëllim që t’u mundësohet vazhdimi i shkollës. Në spitalin Ushtarak ndodhen 31 vetë dhe gjendja e tyre është e stabilizuar. Janë ngritur 10 çadra nga Komanda e Mbrojtjes Rajonale, për popullsinë e zonës. Forcat tona kanë ndihmuar në ndarjen e 6 ton ndihmave ushqimore. Komisioni deklaroi se me përfundimin e vlerësimit material të dëmeve dhe nga dita e djeshme ka filluar vlerësimi financiar, në bazë të dosjeve të përpiluara nga grupet e ekspertëve dhe të firmosura nga të gjithë kryetarët e familjeve, pronarë të objekteve të dëmtuara. Grupet e vlerësimit financiar do të përbëhen nga një numër i madh ekspertësh të specializuar nga ALUIZNI, Enti i Banesave dhe prefektura e Tiranës. Ndërkaq, kreu i qeverisë Berisha deklaroi dy ditë më parë se qeveria do të rimbursojë të gjitha dëmet e pësuar në zonën e Gërdecit. “Ne do t’i rimbursojmë kryefamiljarët e familjeve të dëmtuara për të gjitha dëmet. Sapo të përfundoi vlerësimi, Ministria e Financave po bën gati vendimin dhe skemën e disbursimit të shumave për çdo familje, në përputhje me dëmin që ka pësuar”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›