Nusja, levë vjehrrës në kokë
FUSHE – KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Grindja mes nuses dhe vjehrrës përfundon me plagosjen rëndë të kësaj të fundit me levë pas koke. Ngjarja brenda familjes ndodhi në një nga lagjet periferike të Fushë–Krujës.
Për pasojë, nusja 26 vjeçe, Daniela Menga u arrestua për plagosje të rëndë me dashje, ndërsa vjehrra e saj, Nafile Ulaj, 56 vjeçe është në gjendje kritike në Spitalin Ushtarak. Sipas policisë, nusja e penduar për krimin e kryer ka rrëfyer edhe motivin e kësaj ngjarjeje, që për pak precipitoi me viktimë. “Tentoi të më nxirrte dhunshëm nga banesa. Nuk kisha se ku të shkoja”. Kështu mësohet të jetë shprehur në polici e reja, e cila prej 3 muajsh nuk jetonte me të shoqin. Ky i fundit, sipas dëshmisë së dhënë prej 26-vjeçares në polici ishte njohur me një tjetër vajzë e për rrjedhojë ishte larguar bashkë me të në drejtim të paditur. Sipas policisë së Fushë-Krujës ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 06:00 të mëngjesit. Pas tre viteve martesë, 26-vjeçarja ndodhej në një situatë të vështirë, për shkak se i shoqi kishte marrë një tjetër grua. Familja e saj i kishte sugjeruar asaj të mos kthehej në banesë, por të rrinte bashkë me vjehrrën, me shpresë se një ditë bashkëshorti i saj do të kthehej. Por pas tre muaj pritjeje, situata vetëm sa vinte e ndërlikohej. Mësohet se fillimisht vjehrra e kishte mbajtur afër nusen e saj. Ajo i kishte kërkuar të rrinte bashkë me të, duke i premtuar se do ta bindte djalin të kthehej tek ajo. Por duket se përpjekjet e 56-vjeçares për të bashkuar nusen me djalin e saj kishin dështuar. Duke u ndodhur para një fakti të tillë, sipas dëshmisë së autores dhënë në polici, vjehrra e saj i kishte kërkuar së fundmi të largohej nga banesa. Ajo i kishte komunikuar 26-vjeçares se djali i saj nuk mund të kthehej më tek ajo, ndaj duhej të shkonte tek shtëpia e prindërve të saj. Por presioni i këtyre të fundit për të qëndruar tek banesa e bashkëshortit, duket se kanë shkaktuar gjendje depresive te 26-vjeçarja derisa ajo kreu edhe krim. Dje në mëngjes, konflikti nuse-vjehërr ka nisur pikërisht për këtë shkak. Daniela nuk pranonte të dilte nga shtëpia duke i argumentuar së vjehrrës se nuk kishte ku të shkonte dhe se familja e saj nuk pranonte që ajo të kthehej mbrapsht. Por më pas, 56-vjeçarja e ka kërcënuar të renë se do ta nxirrte me dhunë nga shtëpia. Debati dhe tonet e ashpra mes të dyjave, (jetonin vetëm), degjeneroi derisa Nafije Ulaj tentoi të dhunonte nusen e djalit të saj dhe ta nxirrte me forcë nga banesa. Pikërisht në këtë moment, Daniela Menga (Ulaj) ka marrë një levë dhe e ka qëlluar më shumë se një herë nënën e bashkëshortit që e kishte braktisur. Kur ajo është lëshuar në tokë pa ndenja, nusja i ka dhënë ndihmën e parë dhe madje ka lajmëruar edhe fqinjët. Ata e nisën menjëherë në spitalin e Fushë-Krujës e më pas tek ushtaraku në Tiranë. Mësohet se gjendja e viktimës është e rëndë. Pas ngjarjes policia ndaloi 26-vjeçaren, e cila ka shfaqur pendesë, ndërsa ka rrëfyer edhe motivin që e detyroi të kryente një veprim të tillë.