Otranto, familjarët kërkojnë dëmshpërblimin
VLORE - Kortezhi i familjarëve të viktimave të Otrantos përkujtoi dje 12-vjetorin e kësaj tragjedie. Rreth 50 familjarë të viktimave hodhën në det lule, pranë portit ku edhe u nis anija “Katri i Radës”. Pas këtij nderimi për të dashurit e tyre nuk munguan akuzat e familjarëve për këtë tragjedi, e cila ka mbetur pa u zbardhur. Ata akuzuan avokaten e kësaj çështjeje Natasha Shehun, ndërsa i kërkojnë shtetit të paktën të dëmshpërblejë familjet e viktimave. Në tragjedinë e Otrantos humbën jetën fëmijë, gra dhe të rinj. Dosja me 57 viktima dhe 24 të humbur është sorollatur në instanca të ndryshme në Shqipëri dhe Itali. Por më pas u mbyll pasi nuk u provua akuza e të mbijetuarve se tragjedia ishte rrjedhojë e përplasjes së qëllimshme të një anije disa herë më të madhe italiane. Ngjarja e rëndë ndodhi 12 vite më parë, më 28 mars të vitit 1997. Rreth 115 shtetas shqiptar janë imbarkuar në anijen “Katri i Radës”. Rreth orës 15.00, anija ka ngritur spirancën dhe i është drejtuar brigjeve italiane, por pas 4 orësh lundrim, në Kanalin e Otrantos ajo është përmbytur. Të mbijetuarit pohuan se ngjarja ndodhi pas goditjes me anijen luftarake italiane “Sibila”. Bilanci i tragjedisë ishte 57 viktima, 24 të humbur dhe 34 të mbijetuar. Pushime Cala, njëra prej familjareve të viktimave u shpreh dje, se për të nuk kanë kaluar 12 vjet, por 12 ditë, ndërsa presin drejtësinë të reagojë. q.b