E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit: Mësuesit ushtrojnë presion psikologjik

Arsimtarët: Duhet të menaxhojmë klasat me nga 40 nxënës. Kërkojmë rregull, nuk është dhunë

Nxënësit e shkollave të mesme dhe të atyre 9-vjeçare në jo pak raste ankohen për presion psikologjik nga ana e mësuesve. Madje, shpesh flitet edhe për një etikë të shkelur nga ana e mësimdhënësve të tyre, që kur janë të pakënaqur me nxënësit i etiketojnë duke përdorur krahasime vulgare. Në jo pak raste vetë nxënësit pohojnë se janë sharë nga mësuesit e tyre që i kanë quajtur “të trashë”, “kafshë” apo “idiotë të lindur”. Por këto nuk janë fjalët e vetme që përdorin mësuesit për të “disiplinuar” nxënësit e klasave të tyre. Nuk mungojnë rastet kur arsimtarët përdorin edhe shpullat si mjet për të ndëshkuar prishësit e qetësisë në klasë. Por ky fenomen ndeshet më së shumti në klasat e ulëta të sistemit 9-vjeçar. Për më të rriturit, nxënësit e shkollave të mesme, zakonisht funksionon presioni psikologjik. Nxënës të shumtë në gjimnazet e kryeqytetit tregojnë se cilët janë mësuesit më “të këqij” të shkollës, ku me këtë përcaktim ata kanë parasysh arsimtarët që u bëjnë presion sidomos për notat ose me kërcënimin për t’i ngelur në klasë. Plotësimi i numrit të mungesave në një semestër i kalon të rinjtë e të mesmeve automatikisht në provim të lëndës. Në të kundërt ata mund të humbasin vitin. Sikundër pohojnë edhe vetë ata, ky është një ndër kërcënimet më të preferuara të mësuesve, të cilët nuk ngurrojnë që të tundin stilografët me “m” në regjistër. Por përveç rasteve kur “trazovaçët” e klasës bëhen problematikë për të tjerët dhe mësuesit janë të detyruar të ndërhyjnë, si shqetësuese raportohen “metodat” që ata përdorin në lidhje me debatet mësues-nxënës. Kjo për sa i përket përgatitjes së secilës palë. çlirimi i shkollës nga shumë komplekse që ekzistonin më parë i ka dhënë një liri më të madhe edhe nxënësve, të cilët nuk ngurrojnë që në rastet kur nuk bien dakord me mësuesit e tyre për çështje të ndryshme të mësimit, të kundërshtojnë, madje edhe t’u përmendin mësuesve të tyre, përgatitjen e munguar apo të çalë. Por një gjë e tillë duket se nuk përtypet mirë nga mësuesit që vihen përballë kritikave të nxënësve. Shtrëngimi i notës dhe sjellja diskriminuese janë ato që pasojnë reagimet e nxënësve rebelë. Situata të tilla në shkollat shqiptare të sistemit parauniversitar shoqërohen në disa raste edhe me stres psikologjik të të miturve, të cilët shpesh i ndajnë këto shqetësime me prindërit dhe më pak me psikologët e shkollave. Për këta të fundit një pjesë e mirë e të rinjve thonë se nuk krijojnë dot marrëdhënie besimi për t’i treguar të gjitha ato që mendojnë. Megjithatë, në takimet me psikologun e shkollës thuajse nuk mungojnë asnjëherë. Në drejtoritë e shkollave ndonëse nën zë pranohet që ka raste kur prindërit të shqetësuar drejtohen për ndihmë tek ata, pasi fëmijët e tyre ndihen të stresuar nga njëri apo tjetri mësues sërish nuk e konsiderojnë si një ndër problemet me të cilat ndeshet shkolla shqiptare sot. Ato i cilësojnë këto kryesisht si fenomene të izoluara apo raste të veçanta.
Nga ana tjetër, vetë mësuesit ankohen se numri i lartë i nxënësve në klasa e bën të pamundur ruajtjen e rregullit. Ato thonë se përveçse duhet të shpjegojnë mësimin, duhet edhe të kontrollojnë dijet e 35-30 nxënësve për klasë gjatë katër ose pesë orëve mësimi në ditë. Një gjë e tillë, sipas tyre, nuk është e thjeshtë sidomos në ato klasa ku ka edhe shumë nxënës problematikë dhe të painteresuar për mësimin. Megjithatë, ato e konsiderojnë mbajtjen e rregullit në klasë si disiplinë dhe respekt që nxënësit tregojnë ndaj tyre, por asnjëherë si dhunë psikologjike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›