E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, PE gati për negociata

Europarlamentarët, të gatshëm të vijnë në Shqipëri për të ndihmuar për zgjidhjen

Parlamenti Europian kthen sytë sërish nga Shqipëria. Degradimi i mundshëm i situatës dhe protestat e paralajmëruara me pikë kulmore datën 30 prill, rizgjojnë reaksionin e ndërkombëtarëve. Raportuesja e Parlamentit Europian për vizat, Tanja Fajon, u shpreh e shqetësuar për situatën politike që vazhdon të mbizotërojë në Shqipëri.

Ajo deklaroi se “europarlamentarët po shqyrtojnë edhe njëherë mundësinë e ardhjes sërish në Tiranë për t’i shtyrë politikanët vendas drejt gjetjes së një kompromisi për kapërcimin e krizës dhe parandalimin e protestave nëpër rrugë”. Fajon tha se për sa i përket liberalizimit të vizave, procesi mund të vonojë nëse nuk ka një zgjidhje të krizës. “Në Parlamentin Europian ne jemi shumë të shqetësuar në lidhje me situatën në Shqipëri, e cila mund të ngadalësojë procesin e liberalizimit të vizave. Në çdo rast unë mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë dialog parlamentar dhe transparencë”, u shpreh ajo. Fajon konstatoi se nëse tani Shqipëria do të gjendet në një situatë të tillë kur ka mungesë të dialogut parlamentar dhe protesta në rrugë, druhet se kjo do të shkaktojë shqetësim akoma më të madh mes vendeve anëtare. Pas tentativave të Këshillit të Europës, Parlamenti Europian duket se po shqyrton mundësinë për të dërguar një përfaqësi të forcave të ndryshme politike në Tiranë, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes demokratëve dhe socialistëve.
Numri dy i grupimit të majtë në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda, ka shtruar këtë propozim në tryezë me përfaqësuesin e qeverisë Lulëzim Basha. “Gjatë takimit, kur po diskutonim situatën politike në Shqipëri, z. Swoboda i tha ministrit tuaj të Brendshëm se Parlamenti Europian, në fakt jo kështu për të qenë të saktë, por që socialistët dhe disa grupe të tjera në Parlamentin Europian, ishin të gatshëm të vinin në Shqipëri, në mënyrë që të ndihmojnë për të zgjidhur situatën politike. Mendoj se është një sugjerim sensibël dhe një ofertë e brishtë”, është shprehur Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të PE-së për Ballkanin.

“Disa prej kolegëve tanë, përfshi dhe unë apo të tjerë, mund të vijmë në Shqipëri e të diskutojmë me palët për të gjetur zgjidhje. Të mundohemi të gjejmë arsyet pse opozita mbetet ende e pakënaqur e t’i japim edhe qeverisë shansin për të bërë disa hapa përpara për të dhënë me të vërtetë një mundësi se si mund të shikohet ndershmëria, hapja dhe sinqeriteti në këto zgjedhje”, theksoi zëvendëspresidenti i PSDE-së, Hannes Swoboda. Kur Partitë Popullore Europiane, theksoi Kukan, mbështesin qeverinë e socialistët europianë mbështesin qartësisht Partinë Socialiste të Edi Ramës, unë mendoj se kjo nuk është rruga për t’ju ndihmuar, mendoj se duhet të bashkojmë forcat në Parlamentin Europian për t’u bërë presion politikanëve shqiptarë.

“Mund të kërkojmë ekspertizë nga Komisioni i Venecias, mund të shohim më konkretisht këtë çështje, sepse duke argumentuar vetëm politikisht mbetet e pamjaftueshme, duhet të shkojmë më thellë për të parë këto shqetësime, nëse ato justifikohen sipas përcaktimit kushtetues”, deklaroi Swoboda. Pak javë më parë ishte Këshilli i Europës që u angazhua direkt për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Fillimisht u miratua një rezolutë e këshillit dhe u ngrit një delegacion i posaçëm për të ndërmjetësuar me autoritetet shtetërore dhe opozitën në Shqipëri. Negociatat u pasuan me futjen në Parlament të opozitës, por nuk u arrit një zgjidhje e pranuar nga të dyja palët për çështjen e krizës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›