Nxënësja me shami, shkolla se respekton as gjykatën
Prishtinë, 17 Mars - Avokati i Popullit, Sami
Kurteshi, ka reaguar sot pasi shkolla Kuvendi i Arbrit në Viti vazhdon të mos
e lejojë nxënësen Arjeta Halimi që të ndjekë procesin mësimor, megjithë
vendimin e gjykatës.
Ombudspersoni Kurteshi tha se moszbatimi i vendimit gjyqësor dëshmon se në
Kosovë nuk funksionon shteti ligjor dhe se dikush është mbi ligjin.
Kurteshi dhe drejtues të OJQ-së Clard, kanë paraqitur sot në një konferencë
për gazetarë, rastin e nxënëses së shkollës Kuvendi i Lezhës, e cila është
përjashtuar nga procesi mësimor për shkak të bartjes së shamisë.
Më 6 prill 2009, Hesat Halimi nga komuna e Vitisë i ka drejtuar një kërkesë
Clard-it, për të vepruar në emër të vajzës së tij, Arjeta Halimi, pasi nuk i
është lejuar të ndjekë mësimet që nga data 15 janar 2009, mbi bazën se ajo nuk
pranon të largojë shaminë nga koka, derisa qëndron në ambientet shkollore.
Pasi janë shterur të gjitha mjetet juridike administrative dhe mjeteve juridike
gjyqësore, më 17 nëntor 2009, një vendim gjyqësor nr. 24/09 në favor të
paditësit u miratua nga Ymer Huruglica, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Gjilan.
Agjencia KosovaPress citon Kurteshin të ketë thënë se autoritetet publike duhet
të përmbahen nga çdo veprim që mund të pengojë nxënësit me lirinë e
manifestimit të fesë së tyre në shkolla, duke veshur simbolet fetare.
Ai i ka apeluar Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Gjilan dhe drejtorit të kësaj
shkolle që të zbatojnë vendimin e gjykatës dhe ti lejohet nxënëses Halimi të
vijojë mësimet, së bashku me nxënësit e tjerë të shkollës.