Kosova në Slloveni, vetëm si shtet

Prishtinë, 18 mars, NOA - Kosova do të
përfaqësohet në konferencën e Bërdos si shtet i barabartë me vendet tjera. Kjo është
deklarata që ka bërë sot zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi. Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi thotë se
ftesa për pjesëmarrje, kryeministrit Hashim Thaçi i është dërguar në cilësinë e
kryeministrit të një shteti sovran dhe në këtë cilësi edhe do të shkohet në
Bërdo.
Kosova do të përfaqësohet si e barabartë kudo në forume ndërkombëtare. Edhe në rastin e takimit të Bërdos, afër Kranjit, jam i bindur se kryeministri i vendit do ta ketë përfaqësimin e shtetit të Kosovës në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë me të gjitha shtetet tjera pjesëmarrëse në atë takim, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri kosovar thotë se Serbia, në vazhdimësi ka bërë përpjekje ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në takime ndërkombëtare.
Unë besoj se Serbia do ta ndryshojë logjikën e konfrontimit, do të kthehet në logjikën e bashkëpunimit dhe nuk ka arsye që të mos marrë pjesë. Po ashtu, besoj se presioni ndërkombëtar do të shtohet, që ndryshimet në Serbi të jenë më të shpejta, thotë Kuçi.
NOA