Nxitësi i tensioneve flet për bashkëpunim multietnik
"Deri tani u jam përgjigjur të gjitha pyetjeve për këtë vendim, i cili është marrë para se të fillojë viti shkollor. Të gjitha gjërat deri më tani janë thënë. Nuk kam ç’të shtoj më tepër", deklaron Todorov për mediat e interesuara. Ndërkohë, MASH ka marrë vendimin që të shtohet lënda e etikës, si lëndë obliguese duke filluar nga klasa e gjashtë. "Morali, drejtësia, toleranca, kanë mbetur nën hije dhe janë zëvendësuar me shprehje të ndryshme të degjeneruara. Duke marrë parasysh këtë situatë në të cilën ndodhemi, vendosëm ta fusim në plan program lëndën e etikës, si lëndë obliguese, e cila është e nevojshme për një vend multietnik si Maqedonia", tha Todorov. Ai shtoi gjithashtu se nxënësit e moshës 12 vjeçare, duhet të kenë njohuri për rëndësinë dhe vlerën e etikës dhe moralit si pjesë e jetës së njeriut, si dhe të mësojnë të respektojnë marrëdhëniet etike të njerëzve. "Qëllimi i kësaj lënde është që nxënësit të mësojnë se si të sillen, të jenë tolerant, të dinë të bëjnë dialog, të kenë respekt dhe mbi të gjitha të bashkëpunojnë me të gjithë", tha Todorov. Lëndën do ta ligjërojnë filozof të diplomuar, ndërsa do të nisë të mësohet që nga viti i ardhshëm.