“Nyja dhe shenja”, Zeka e Topçiu prezantojnë pikturat e reja në Pogradec
Këto ditë në qytetin e Pogradecit u hap ekspozita e titulluar “Nyja dhe shenja”. Kjo ekspozitë që është organizuar nga Grupimi kulturor “Light” dhe Galeria e Arteve, Pogradec, ka një vlerë dhe domethënie të veçantë. Kjo ekspozitë synon në të njëjtën kohë edhe paraqitjen dialoguese të punëve më të reja të piktorit të mirënjohur Gentian Zeka, por edhe prezantimin për herë të parë në qytetin e lindjes të piktorit të ri Miron Topçiu. Ekspozita është ndërtuar në dy pjesë dhe përmban 21 piktura në vaj nga Gentian Zeka dhe 14 piktura në akrilik nga Miron Topçiu. Artdashësit e pikturës, artistët, piktorët, sidomos në qytetet e Pogradecit dhe të Korcës, por edhe në Tiranë dhe disa kryeqytete të Ballkanit, janë mësuar tanimë me pikturën e Gentian Zekës që tenton vazhdimisht t’i largohet konvencionales, që është në kërkim të rrugëve të reja të shprehjes artistike, që është në kërkim të mjeteve të reja artistike, që synon të gjejë tema dhe motive simbolike, që kërkon filtra të rinj emocionalë për t’i servirur shikuesit dhe për të krijuar një efekt të plotë emocional tek ai. Pra ai gjeneron një efekt të ri emocional i cili mbështetet mbi befasinë. Ne kemi në këtë ekspozitë vijimësinë e një autori i cili është paraqitur para artdashësve me ekspozitën e hapur më parë të titulluar “Metaforat e dritës”, por kemi edhe punë që janë sërish në rrugën drejt kërkimit e zbulimit emocional dhe artistik, proces që te Gentian Zeka është në një vazhdimësi të pandërprerë. Të bie në sy menjëherë cikli që përpiqet të realizojë një eksperiment me kohën dhe që në pikturë është një eksperiment me ngjyrën. Pikturat që përpiqen të zbulojnë detaje e nuanca të dritës në errësirë ose e kundërta, të zbulojnë detajin e errët në dritë. Disa piktura janë interpretime me shenja të reja të motiveve të lashta sa bota e që na tërheqin ne jo aq me motivin e paraqitur në telajo, se sa me teksturën shenjore tepër të pasur të autorit. Një befasi për ne do të jetë edhe pjesa e dytë e ekspozitës realizuar nga piktori i ri Miron Topçiu i cili përbën befasinë e kësaj ekspozite. Vetëm 16 vjec, por me njohje shumë të mëdha e befasuese të artit modern dhe artit e artistëve bashkëkohorë që janë sot në krye të pikturës europiane paraqitet me disa prej krijimeve të tij, të realizuara në Pogradec, por me një krijimtari që nuk është aspak modeste të realizuar në Bukuresht ku jeton, ai vjen me një dinjitet artistik të dallueshëm në këtë ekspozitë. Mironi vjen me një kulturë artistike të plotë, vëzhgues dhe dashamirës i artit modern, por edhe i eksperimentit artistik. Anëtari i një forumi të gjerë artistësh në internet që quhet “My art space” (myartspace.com) ai paraqet veprat e tij në internet dhe vlerësohet nga artistë nga e gjithë bota. Piktura e Miron Topçiut është një pikturë energjike dhe e ndërtuar mbi parimin e një lirie figurative të dukshme. Jemi mësuar që autorët e rinj t’i shohim nganjëherë si ndjekës të piktorëve më të vjetër ose më të famshëm. Mironi nuk vjen si ndjekës i tillë apo si imitues i aksh autori. Mironi ndjek “parimin” që ka ndjekur arti modern. Ai është mbështetur në një liri artistike të admirueshme që është gjithmonë motori që prodhon vepra arti të ri. Pikturat e Mironit kanë një unitet stili të dallueshëm dhe po ashtu një unitet ngjyror. Rrahin drejt abstraktes me ndonjë reminishencë figurative e cila për spektatorin është tërheqja ndaj kuadratit ose tërheqja ndaj tablosë. Po të përdor një shprehje të Matisse, Mironi ka punuar mjaft mirë që ne të themi kjo pikturë është një “Miron”. “Nyja dhe shenja” është një ekspozitë domethënëse, ajo së pari është një ekspozitë me cilësi të shkëlqyer artistike, së dyti është një ekspozitë që sfondin e ka të ndërtuar mbi lirinë artistike dhe eksperimentin, kjo është dhe pikëlidhja e dy autorëve duke bërë që ekspozita të ketë edhe një unitet konceptual, së treti kjo ekspozitë sjell një piktor të ri mes nesh dhe gjeneron frymë të re.
14 Gusht 2008