Marrëveshje ruso-gjeorgjiane për armëpushim
Presidenti francez, Sarkozi, ka rënë dakord që të hartojë një plan me Rusinë dhe Gjeorgjinë për të zgjidhur krizën. Marrëveshja u njoftua nga zoti Sarkozi në një konferencë shtypi në orët e vona me udhëheqësin gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, në Tbilisi. Plani thekson rëndësinë e kthimit të të gjitha forcave të përfshira në konflikt në zonat ku ishin përpara se të shpërthenin luftimet javën që shkoi. Rusia duhet të lere në Osetinë Jugore vetëm forcën paqeruajtëse që ishte atje fillimisht.
Por pavarësisht planit të paqes, zoti Sarkozi tha se nuk kishte asnjë iluzion në lidhje me vështirësitë që kishte përpara. Zoti Sarkozi u shpreh kështu për planin: "Tekstin do t’ia paraqesë Bernard Koushner 27 ministrave të Jashtëm në një takim të BE-së në Bruksel, kështu që të përkrahet nga BE-ja. Dhe ky tekst do të shndërrohet nga një kornizë bazë në një dokument juridik në formën e një rezolute që do t'i jepet pastaj Këshillit të Sigurimit. Kështu është fillimi i një procesi që do t'i hapë rrugën, - apo që Franca shpreson që do t'i hapë rrugën paqes në rajon". Ndërkohë njoftimet nga Uashingtoni bëjnë të ditur se SHBA-të kanë vendosur që të anulojnë një manovër të përbashkët detare me Rusinë për shkak të ndërhyrjes së saj në Gjeorgji. Një zyrtar amerikan citohet të ketë thënë se SHBA-të nuk mund ta kryejnë këtë manovër në kushtet e krizës aktuale. Ajo ishte planifikuar të fillonte në detin e Japonisë ditën e premte.
Gjeorgjia padit Rusinë në Hagë
Gjeorgjia e ka plotësuar ankesën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për "spastrim etnik" në konfliktin e saj me Rusinë. Gjeorgjia thirret në Konventën Ndërkombëtare të vitit 1965 për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor. Në deklaratën e gjykatës thuhet se Gjeorgjia ka iniciuar procedime kundër Federatës Ruse për "aksionet e saj në dhe rreth territorit të Gjeorgjisë", duke shkelur Konventën Ndërkombëtare të vitit 1965 për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor.
Njoftimet për këtë padi pasojnë prononcimet e zyrtarëve të lartë gjeorgjianë se osetët etnikë po kryejnë "masakra" ndaj gjeorgjianëve etnikë në krahinën rebele të Osetisë së Jugut. Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Alexander Lomaia, tha se "osetiano-jugorët, të mbështetur nga rusët, po bëjnë masakra të tmerrshme në fshatrat gjeorgjiane". Ministria e Jashtme gjithashtu lëshoi një deklaratë ku thuhet se ushtarët rusë në Osetinë e Jugut po vështrojnë se si separatistët osetë po kryejnë akte të "spastrimit etnik". Pohimet nuk janë verifikuar nga burime të pavarura. Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili ndërkohë ka thënë se është dakord me planin e BE-së për përfundimin e luftimeve me Rusinë.
14 Gusht 2008