O Kreshnik Spa(t)hia, bashkë-korrupsionisti yt, Bamir Topi, e dekoroi Janullatosin

Stani i korrupsionit që u fut në politikë nga presidenca s’po kupton më çfarë thotë kur mashtron shqiptarët. Dje Kreshnik Spahiu kërkoi t’i hiqet Urdhri “Gjergj Kastrioti” Anastas Janullatosit, por harroi t’u thoshte shqiptarëve se ishte pikërisht ortaku i tij, Bamir Topi që ia dha dekoratën më të lartë të shtetit, pa pasur kurrfarë propozimi apo rekomandimi nga komuniteti ortodoks
Faqezinjtë janë të tillë sepse kujtojnë se njerëzit nuk kanë kujtesë. Kreu i Aleancës Kuq e Zi ka deklaruar se dekorata, “Urdhri i Gjergj Kastriotit” t’i hiqet peshkopit Janullatos, me pretendimin se ka kryer veprimtari antikushtetuese.
Mirëpo Peshkopi Janullatos është dekoruar me 5 prill 2010 nga presidenti i Republikës Bamir Topi, njëherazi kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në 2010 nënkryetar kishte Kreshnik Spa(t)hiun.
Bashkëqeverisja e korruptuar e drejtësisë në vend jo vetëm infektoi rëndë sistemin, por në ditët e para të kësaj çrrënjosje ish-nënkryetari i Drejtësisë i përvishet bëmave të Bamir Topit, me nëntekstin se faji e ka Bamiri me qokat e tij. Një prej këtyre qokave të Bamir Topit si president është dhe dekorimi i peshkopit Janullatos.
Në diplomën e urdhrit, dorëzuar nga Bamir Topi Kryepiskopit Anastas, ishte shkruar: “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”.
Si duket, Bamir Topi paska dekoruar pa dijeninë e faqeziut peshkopin Janullatos. Kësisoj faqeziu Spa (t)hiu kërkon me këmbëngulje poshtërimin e peshkopit, pasi në këtë mënyrë fiton më shumë vota sesa Bamiri i FRD-së që e nderoi Peshkopin me Urdhrin Gjergj Kastrioti.
Kreshnik Spa (t)hiu ashtu siç korruptuan sistemin e drejtësisë kështu bashkëkorruptuesit kërkojnë të korruptojnë tolerancën fetare duke mbjellë përçarje. Ky akt ish-vartësit të Bamir Topit hap një dritare tjetër interpretimi.
Nga kjo dritare shikohet sesi lufta politike do të ashpërsohet në ditën në vijim sepse për një grusht votash do të shpallen armiq, tradhtarë, faqezinj e smirëzinj.