Rilindja, si Modeli i ri (varrosjes) për shqiptarët
Modeli i gjoja rilindjes kombëtare të Edi Ramës në fakt është modeli i ringjalljes së pinjollëve të rinj, i dinastisë së vjetër komuniste në Shqipëri. Me ngadalë por me saktësi të madhe, kupola e partisë më të madhe opozitare në vend po uzurpohet nga fëmijët e ish byroistëve punistë. I përkëdheluri i familjes Hoxha me teorinë e tij të gjoja rilindjes kombëtare në fakt ka lëshuar një manifest ekstrem me udhëzime e procedura për riformatimin e një krahu bllokmenësh të rinj tashmë që do ecin në gjurmët e etërve të tyre për të marrë dhe mbajtur pushtetin në Shqipëri. Nuk është e rastësishme që Edi Rama në dukje një prurje aksidentale tek PS afroi rreth vetes pinjollët më të spikatur të familjeve të mëdha komuniste, si përshembull klaneve të Kapos dhe Hoxhës. Këta njerëz janë figura politike, mediatike, të botës së biznesit dhe të kulturës. Ata njihen brenda së majtës si përçues ekselentë të frymës së vjetër e diktatoriale të regjimit të shkuar. Gjithçka mund të dallohet me lehtësi tek inati i papërmbajtur i gjoja të rinjve përreth Ramës me çdo njeri, qoftë edhe simpatizant i PS-së që nuk u përket sërës së tyre prej bllokmeni. Në disa raste edhe vetë Rama është kthyer në tabelë qitjeje prej elementëve që mbështet për shkak se forcimi i tyre dhe mbyllja e rrethit vicioz të pushtetit tek Partia Socialiste nuk lejon shpresa për një të ardhme demokratike.
Të gjithë e dinë tashmë ata që merren me politikën se me marrëzinë e vet Rama u shërben ëndrrave të rikthimit në qeverisje të klaneve më ogurzeza e antidemokratike që kërkojnë më pas të mbajnë shqiptarët jashtë dyerve të integrimit europian. Terreni është përgatitur me kohë duke injektuar tek opinioni dhe publiku idenë se Europa nuk është një objektiv që duhet arritur me domosdoshmëri dhe se ajo mund të presë në emër të gjoja interesave të shtresave të gjera popullore, shtresa që për hir të së vërtetës nuk kanë patur dhe nuk kanë mundësi përfaqësimi tek partia e bllokmenëve të rinj. Manuali i hedhur gjerësisht për konsum e që është shpallur si program rilindjeje nuk është gjë tjetër veçse kopjimi i tezave naziste të shumë viteve më parë që u përdorën për të futur botën në një aventurë të përgjakshme. Ky është qëllimi i tezave të rilindjes kombëtare të socialistëve të Ramës, goditja fort e parimeve humane e demokratike duke synuar rishpërndarjen e varfërisë që serviret si model i sukseshëm politik i lidershipit. Për këtë Rama shfrytëzon pa asnjë mëshirë të gjithë të papunët ndër radhët e votuesve të majtë, të gjithë të pakënaqurit që dikur kishin në duart e tyre pushtete të pamerituara e që sistemi demokratik i tetë viteve të fundit u hoqi nga duart. Për të arritur qëllimet e tij Rama përdor pudrën në faqet e Rucit për të nxitur dhe gënjyer opinionin se ai do të jetë më i mirë në qeveri se kur ka qenë në Bashki, se ai njeh shtetin, institucionet, respekton Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve. Por në fakt në asnjë rresht dhe germë të ushtrimit të diktatit të tij mbi bashkinë dhe PS-në nuk provoi se di të bëjë kompromise, se di të bëjë koalicione, se di të tolerojë, të falë apo të bashkëpunojë me ish kundërshtarë të tij. Ai nuk provoi kurrë se është për taksat e ulëta, për heqjen e barrës fiskale apo ndihmën ndaj të varfërve, sepse nuk vjen nga shtresa në nevojë e nga radhët e qytetarëve të thjeshtë. Ai u përzgjodh të zvarrisë të majtën në një monopat të vështirë pushteti që bota jashtë të besojë se komunistët shqiptarë ndryshuan dhe janë pa asnjë kompleks, madje madje ata janë tashmë kapitalistët e kulluar që i duhen perëndimit për të mbajtur në krahun e tyre si bashkëpunëtorë të një sistemi që në fakt nuk e kanë dashur kurrë. Jo vetëm kaq, por Rama dhe bllokmenët e rinj janë të gatshëm që nëse u lëshohet terren të eliminojnë me gjithë mënyrat e mundshme deri edhe zhdukjen fizike të kundërshtarëve të tyre politikë që guxuan e po i mbajnë larg pushtetit për gati një dekadë.
Në këtë gjendje pasigurie dhe ankthi Rama përpiqet të dominojë interesat e socialistëve dhe drejtuesve të klaneve e rrymave të ndryshme të së majtës duke nxitur panik dhe frikë tek të gjithë ata që shprehin qoftë edhe lëkundjen më të vogël. Edi Rama nuk mund të jetë asnjë gjë tjetër më shumë se një diktator i vogël, i rrethuar nga fëmijët e ish bllokmenëve që po t’u jepej mundësia do të kishin tërhequr zvarrë me kënaqësi sistemin demokratik duke ekzekutuar parimet fisnike të tij. Ndaj këmbanat e alarmit bien sot më shumë se kurrë ndër radhët e demokratëve, konservatorëve, liberalëve, nacionalistëve, pacifistëve, ekologjistëve, vullnetarëve e të tjerëve, që të bashkohen e të mendohen si të përballojnë më mirë rrezikun e vjetër që i kanoset vendit tonë: Përmbysjen e një sistemi vlerash e reformash që po çon shoqërinë tonë drejt Europës. Nuk bëhet fjalë më për një përballje mes të majtës dhe të djathtës, por në përballje janë fatet e çdo individi të lirë, e çdo biznesi, e çdo të punësuari dhe çdo familjari. Ndryshimi i pushtetit ndodh vetëm nga vota e njerëzve dhe jo nga dëshirat e një kryetari të rrezikshëm që kërkon të ri(varrosë) shqiptarët.