O sa mirë, mos me qenë….shqiptar!
Gjithëkush mund ta quajë vetën çfarë të dojë dhe gjithë të tjerët janë të detyruar ta pranojnë atë, ashtu siç është. Kjo është e drejta themeltare e një njeriu të lirë në një botë të lirë. Kjo të vjen në mend, kur përmbluan i shkreti njeri atë që po ndodh në Athinë lidhur me dhënien e nështetësisë minoritarëve grekë nga Shqipëria që jetojnë në Greqi. Në fakt, po ta shkosh hollë hollë, vëren se nuk as asgjë të keqe që një vend i BE-së, t`i japë nështetësinë qytetarëve të tjerë që aktualisht janë jashtë këtij spektri, dhe aq më tepër kur këta janë të homogjenizuar si grekë tashmë, duke jetuar dhe punuar atje. Në radhë të parë shqiptarët, duhet t`i lënë mënjanë histeritë nacionaliste, që nisin e bitisin te fjalët. Ata duhet të pranojnë se disa nga kombet rrotull tyre janë pak më përpara përsa i përket zhvillimit ekonomik, politik por edhe atij kulturoro-demokratik. Janë më para, pasi shqiptarët gjithmonë e kanë humbur kohën duke u ngrënë mes vedi, përreth një kocke, që quhet PUSHTET! Për këtë arsye, shpesh sheh që vendet rrotull bëjnë ç`të duan, e as duan tja dinë se çfarë ndien apo mendon ti. Shqiptarët (përmbledh këtu të gjithë ata që jetojnë në Ballkan) janë “të dënuar”, të jetojnë me ata që kanë rrotull, ashtu siç edhe ata janë “të dënuar” përjetë të jetojnë me shqiptarët. Për këtë arsye, çështjet duhet të trajtohen me gjakftohtësi. E para, minoritetet në Shqipëri gjithmonë janë trajtuar në mënyrë pozitive dhe aq më tepër edhe në një regjim diktatorial si ai i Enver Hoxhës. Petro Marko, na tregon se përpjekje për integrimin e tyre në jetën shqiptare janë bërë që në kohën e Zogut dhe kjo është pozitive (shih.Retë dhe Gurët). Minoritarët kanë vuajtur në këtë Shqipëri të vuajtur po aq sa kanë vuajtur edhe shqiptarët që nga krijimi i këtij shteti e deri në këto momente. Pas viteve 90, megjithë shpërthimin e luftrave etnike-nacionaliste në Ballkan, minoriteti grek në Shqipëri, gëzonte të gjitha të drejtat, që evoluan deri sa morën trajtën e sotme, saqë partia që përfaqëson këtë pjesë të shoqërisë sonë, është në qeverisje që nga viti 1997 pa parë se kush më krye, të majtë a të djathtë. Gjithsesi, duhet të themi këtu, se zonat të cilat cilësohen si minoritare, apo pretendojnë se janë të tilla janë lënë larg zhvillimit, ashtu si edhe shumë zona 100 përqind shqiptare. Ato janë lënë pa rrugë, pa mundësi pune apo me të ardhura qersharake. Të rinjtë e këtij minoriteti kanë vite që kanë ikur, ndërsa të moshuarit thjesht marrin pensionet që u jep Athina, dhe që asnjë njeri me tru nuk do tu thoshte jo. Për këtë arsye, duke përdorur kartën ekonomike, Athina po bën gjithçka t`i afrojë ata, duke futur sëfundi edhe kartën politike. Zyrëtarisht rreth 120 mijë minoritarë, përkthehen në vota për Demokracinë e Re, ndërsa hapi i bërë ngjall reagime pozitive në opinionin grek, se “qeveria po kujdeset për bashkëkombasit tanë jashtë”. Qarqe të ndryshme thonë se ky vendim i qeverisë greke, u mor edhe pas një konsultimi me Tiranën zyrëtare, dhe kjo mbetet për tu sqaruar sepse kur vjen puna për çështjet me Greqinë, shteti shqiptar ka kohë që hesht. Ndërsa në greqisht ngjan mirë e bukur, kur përkthehet në shqip, ky vendim mbart në vetvete anët e tij të errëta. Në radhë të parë ai vjen vetëm pak kohë pas një skandali lidhur me zhvarrosjen e eshtrave në Kosinë të Përmetit. Ai vjen në një kohë, kur shkollat greke po shtohen në zona që kanë nisë të cilësohen minoritare, dhe pa dyshim në një kohë kur Çamët, po bëjnë goxha përpjekje për t`i tërhequr vëmendjen Europës për hallin që i ka zënë. Politikani Godo, ka të drejtë kur thotë se nuk do të dihej sesi do t`i vente halli i Kosovës nëse ne do tu jepnim nështetësinë qytetarëve të saj. Duke vijuar në të njëjtin ritëm, unë do të shtoja: si do t`i vente halli i Maqedonisë apo edhe më tej Malit të Zi nëse ne do tu jepnim pasaportën e kuqe bashkëkombasve tanë që jetojnë atje? Mund të themi se do t`i çonim këto vende drejt shpërbërjes. Sigurisht që vendet amë do të kenë politika ndihmëse për bashkëkombasit e tyre, pakicë në vende të tjera, dhe mirë apo keq këtë e ka patur edhe Shqipëria deri tani. Por kjo nuk duhet të shkojë më tej, pasi do të thotë dëmtim i shteteve të tjera, dhe dikush duhet tja thotë në një gjuhë të kuptueshme Athinës zyrëtare. Personalisht kam frikë se pas një farë kohe do të dalin edhe kleçka të tjera, lidhur me pakicën greke në Shqipëri. Jo me kot numri i minoritarëve ditën e parë kur lajmi u bë publik ishte 120 mijë dhe pas tre ditësh doli në 250 mijë. Kam frikë se pas njëfarë kohe, në listën e grekëve që jetojnë në Shqipëri, do hyjë edhe Ahmeti e Mehmeti nga Shkodra e Elbasani, apo Pali apo Gjoka nga Lezha e Mirëdita. Lutim Zotin, që nevojtarët nga të katër anët e Shqipërisë që ndodhen në Greqi, të mos bëhen “të homogjenizuar” vetëm e vetëm sepse një copë letër, u jep atyre ca të drejta më shumë, duke shkelur mbi atë që janë në të vërtetë…
aulonmehdiu@gazetastart.com
aulonmehdiu@gazetastart.com