E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODHISE PASKALI Skulptori Nderi i Kombit, ringjallet përmes një ekspozite

>Ringjallja e Paskalit, vjen me Puthjen dhe medaljonet me figurat kombëtare
Skulptori i popullit, Nderi i kombit, Odhise Paskali, mbërriti me krijimtarinë e tij në mjediset e  Muzeut Historik Kombëtar. Përmes një aktiviteti për nder të 105 vjetorit të lindjes së tij, u çel ekspozita Ringjallja e Paskalit. Në stendat e kësaj ekspozite u prezantuan një sërë punësh të skulptorit si: Medaljon i Ismail Qemalit 1973, Vëllezërit Frashëri 1973, Puthja 1935, Medaljon i Bethoven 1956, tre medaljone të Skënderbeut në vitet 1973-1974, etj. Punimet e skulptorit Odhise Paskali janë dhe në faqet e kartëmonedhave, përkatësisht: Busti i Skënderbeut në kartëmonedhën 1000 lekëshe, Busti i Naim Frashrit në kartëmonedhën 500 lekëshe, monumenti Luftëtari i Kombëtar në kartëmonedhën 100 lekëshe, monumenti i Skënderbeut në 5000 lekëshe.
Ringjallja e Paskalit u çel nën  kujdesin e së bijës Floriana Paskali. Këtu janë paraqitur 25 punime të skulptorit, të cilat janë kuruar nga Leonardo Voci. E bija e skulptorit u shpreh se: E vlerësoj shumë të rëndësishme dhe duke qenë me vepra në skulpturë është e para e këtij lloji, pas kaq vitesh me vepra të babait tim. Mendoj se rëndësia e ekspozitës ka të bëjë dhe me faktin për të bërë shqiptarët me dije se ky është Paskali. Ai vazhdon dhe jeton, aq më tepër në këto momente kur nga shteti shqiptar do të bëhet salla e Skënderbeut nga Presidenca, ndërkohë që në pasaportat biometrike do të bëhet figura e Skënderbeut. Janë shumë kujtime, për mua ka qenë një baba i mrekullueshëm, një artist shumë i madh dhe pata fat që jam e bija. Tani erdhi momenti për të nxjerrë para dashamirësve punët e babait, pasi një pjesë e madhe e tyre janë rimbledhur, restauruar, përpunuar dhe kuruar, sepse ato ishin të shpërndara dhe jo të mirëmbajtura, u shpreh  bija. Në ditën e hapjes së ekspozitës u promovua dhe një botim me ese dhe shënime të Odhise Paskalit, i titulluar Shpirti im i ripërtërirë. Duke folur për këtë botim,bija e skulptorit u shpreh se: zgjodha që të botoja këto ese, pasi nuk doja që ta mbaja pasurinë që më la im atë, vetëm për vete, por ta ndajë atë më të gjithë. Botuesi Mehmet Gezhili, për librin me ese Shpirti im i ripërtërirë, tregon se ai përmban ese duke filluar nga viti 1923 deri në vitin 1983, të cilat do ti shërbejnë shoqërisë shqiptare. Libri përmban 810 ese, duke filluar nga viti 1923 deri në vitin 1983. Këto janë meditime dhe aforizma filozofike që tregojnë, mendjen e ndritur jo të një skulptori, por të një  filozofi që dinte nga të gjitha fushat si nga filozofia, anatomia, biologjia etj. Dihet që ai kishte studiuar letërsi, por e rrëmbeu skulptura dhe tani duke dalë këto ese të tij, njerëzit do të marrin vesh se ky njeri tërë historinë e vendit tonë e ngriti në monumente, por ai ka qenë dhe një filozof i mirë. Ky është një libër befasues dhe botohet për herë të. Ai do ti shërbejë dhe shkollave, në lidhje me kulturën , por dhe me filozofinë. Paskali këtë libër e kishte shkruar por vite të tëra dhe ka lënë në dorëshkrime një saktësi që të befason. Mes të tjerave ai shkruan : Unë nuk jam skulptor në kuptimin e mirë të fjalës,nuk jam poet në kuptimin e mirë të fjalës, unë nuk jam filozof në kuptimin e mirë të fjalës,unë jam njeri dhe çdo gjë njerëzore më ka preokupuar, tregon mbi librin botuesi Gazheli. Më tej ai shton se: Në fund të librit ai ka një aktmarrëveshje me kombin dhe lexuesin,dhe gjithmonë ai ëndërron vetëm paqen njerëzore. Aty ai ka një fjali: Linda, jetova dhe do të vdes i varfër. Por faktikisht ai vdiq i varfër në një apartament të vogël, por ishte një nga njerëzit që pasuroi Shqipërinë, që të tek sheshi Skënderbe, Korçën ,Vlorën,Gjakovën etj. Ekspozita me punimet e skulptorit Odhise Paskali do të qëndrojë e hapur deri në datën 17 prill.

************************************
Jeta e skulptorit Odhise Paskali
 Odhise Paskali, (22 dhjetor 1903-13 shtator 1985) lindi në Përmet. Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927. Vite më vonë, në 1931-shin krijoi shoqërinë "Miqtë e artit". Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë , por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: "I urituri", "KETI", "Malesori", "Lufëtari Kombëtar", "Themistokli Gërmenji", në Korçë; "Ushtari i panjohur", "Naum Veqilharxhi", bust në bronx , në Korçë; "Partizani fitimtar (Mathauzen, Austri) 1968; Monumenti i Skënderbeut në Tiranë me bashkautorë; "Naim Frashëri", "Jeronim De Rada", "Vojo Kushi", "Fan Noli", "Onufri", "Ahmet Zogu", "Enver Hoxha", "Çerçiz Topulli", "De Rada", "Pashko Vasa", "Migjeni", "Isa Boletini", "Idriz Seferi" e shumë vepra të tjera. Për të gjithë ata që e kanë vlerësuar, vepra e tij mbetet një shkollë e vërtetë arti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›