E Diel, 1 Nëntor 2026

Emergjencat civile në Fier përfundon vlerësimin e dëmeve nga Gjanica

>Pas përmbytjeve që përfshinë qarkun e Fierit muajin e kaluar, është ndezur drita jeshile për të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore. E ndërsa gjatë ditëve të përmbytjes u ngrit një komision vlerësimi dëmesh si dhe grup emergjence, këtë fundjavë është hedhur një hap më shumë në ndihmë të atyre që kanë rezultuar se janë prekur nga përmbytjet. Komisioni i Emergjencave në Bashkinë e Fierit, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin dhe procesverbalet e konstatimit të dëmeve të krijuara nga përmbytja e lumit Gjanica, tha dje se ka përfunduar gjithë procedurat e verifikimit. Mësohet se procesverbalet përkatëse të punuara nga komisioni i emergjencës së Bashkisë Fier, i kanë kaluar në këtë mënyrë qarkut dhe nga ky i fundit ka rezultuar se janë 132 familje dhe 6 biznese që kërkojnë ndihmë imediate nga qeveria shqiptare.
Veprimet e komisionit
Përgjegjësi i kabinetit në qarkun e Fierit, Blendi Shehaj është shprehur se këshilli i qarkut ka ngritur një komision në të cilin bëjnë pjesë ekspertë, që kanë bërë vlerësimet përkatëse në familjet dhe bizneset e dëmtuara nga vërshimi i lumit Gjanica gjatë përmbytjeve të fundit. "Ekspertët e bashkisë, prefekturës dhe qarkut konstatuan se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet janë të konsiderueshme, ndërsa lagjet më të prekura janë lagja "1 Maj", "Liri", "Kongresi i Përmetit", "11 Janari" si dhe "Sheq i madh" dhe "Sheq i Vogël", nënvizoi Shehaj, sipas të cilit në bazë të udhëzimit të Këshillit të Ministrave me Nr. 206 i gjithë dokumentacioni i hartuar është dërguar tashmë në Këshillin Bashkiak të Fierit, i cili do ta shqyrtojë këtë dokumentacion dhe do të vendosë për procesverbalet përkatëse. Ndërkohë që mësohet se do të jetë prefektura e Fierit hallka e fundit që do të përcjellë materialin për në qeveri, në mënyrë që gjithë të dëmtuarit nga përmbytja e fundit të përfitojnë dëmshpërblim. Burime nga këshilli i bashkisë së Fierit deklarojnë se në mbledhjen e radhës do të hidhet për miratim ky dokumentacion, ndërkohë që lista emërore e familjeve dhe bizneseve të dëmtuara nga dalja e lumit Gjanica ka përfunduar. I gjithë ky proces zhdëmtimi do të përfundojë brenda një afati kohe mjaft të shkurtër. Vetëm gjatë përmbytjeve të dhjetorit të kaluar qyteti i Fierit përjetoi një periudhë kaotike, pasi vërshimet e ujit jo vetëm që përmbytën mbi 130 objekte, por morën me vete orendi e pajisje elektro-shtëpiake, duke shkaktuar dëme që kapin shifrën e disa milionë lekëve. Lumi Gjanicë në Fier, është bërë disa herë shkak përmbytjeje dhe kryesisht ndaj tij e kanë pësuar banorët që jetojnë pranë shtratit të tij. por në fund të vitit të shkuar, ky lumë arriti të futej deri në banesat e qytetit të Fierit, të cilat pësuan dëme të shuma materiale. Banorët tashmë janë në pritje të dëmshpërblimit, për të cilin mesa duket tashmë kanë mbetur vetëm pak proceduara deri në përfundim të plotë të këtij procesi.       

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›