E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR: Votimi elektronik, i pamundur për 2013-n, të përjashtohet nga reforma zgjedhore

13-05-2012 / Gazeta 55

Reagojnë ekspertët e ODIHR të cilët prej tre ditësh kanë mbërritur në Shqipëri. Ata vlerësojnë se propozimi socialist për vënien në zbatim të numërimit elektronik, është i pamundur për t’u aplikuar për zgjedhjet e vitit 2013, pasi do të vinin në rrezik integritetin e procesit. Komisionit të Reformës Zgjedhore i mbetet veë të marrë akt për këtë ekspertizë ndërkombëtare

Ajo që u reklamua si risia me e madhe e reformës zgjedhore, me shumë gjasa mund të kthehet në pengesën e kryesore të reformës zgjedhore kur ndodhemi vetëm tre ditë para mbylljes së afatit të shtyrë disa herë nga Kuvendi. Janë ekspertët e ODIHR që prej tre ditësh kanë mbërritur në Shqipëri me rekomandimet e tyre për pjesën e miratuar deri tani me konsensus nga forcat kryesore politike, që rrëzojnë përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, numërimin elektronik apo leximin elektronik të kartës së identitetit në qendrën e votimit.
Mësohet se propozimi i PS për përdorimin e teknologjive, për të cilin PD dha konsensus rreth dy javë më parë në komision refuzohet nga ODIHR si i nxituar, dhe si një proces i parealizueshëm për zgjedhjet 2013. Kjo pasi ekspertiza e ODIHR e vlerëson si të pa sigurt dhe të paqëndrueshme, madje rekomandohen të paktën 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje, fillimisht duke i përdorur ato nëpërmjet projekteve pilote në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale.
Gjithashtu bëhet e ditur se ODIHR përmes rekomandimeve të tij tërheq vëmendjen për një kuadër ligjor të detajuar, të saktë dhe garant ndaj abuzimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Komisionit të reformës zgjedhore, pas këtyre rekomandimeve, i mbeten vetëm 3 ditë për të korrigjuar konsensusin. Në ditët e mbetura, votimi dhe numërimi, dy kapitujt më voluminozë dhe më të rëndësishëm, pritet të rikthehen si prioritet kryesor ne axhendën e komisionit, të cilit i kishin mbetur për t’u përmbyllur kapitujt e fundit, ndër të cilët ankimimet dhe administrimi i zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›