Shkodra vazhdon të jetë nën ujë, situata nën kontroll
Situata në Qarkun e Shkodrës vazhdon të jetë kritike, ndërkohë që thuhet se në ditët në vazhdim parashikohet të ketë më tepër përmirësime. Zona e Nënshkodrës dhe periferia e qytetit veriperëndimor vazhdojnë që të jenë nën ujë, ndërkohë që shërbimet e emergjencave civile kanë marrë situatën nën kontroll. Ndaj të gjithë banorëve dhe zonave me probleme është dhënë ndihma e nevojshme, nga ushtria dhe policia, ndërkohë që emergjencat civile janë në gatishmëri. Sipas burimeve zyrtare, gjendja vazhdon të përmirësohet, ndërkohë që prurjet vazhdojnë në rënie. Për shkak të reshjeve të rëna gjatë natës dhe ditës së djeshme, pati një fryrje të lumit të Bunës, megjithatë në sajë të masave të marra u arrit që uji të mos vërshonte në hapësira të tjera të thata. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Brendshme, janë të mbuluara nga uji rreth 10.400 hektarë tokë. I përmbytur është bregdeti i Velipojës, në të cilin ka ndikuar edhe prania e grykëderdhjes së lumit Buna, në lindje periferia e Shkodrës dhe fshatrat e Malësisë së Madhe në anë të liqenit, në jug Mali i Jushit dhe në veri Komuna Ana e Malit, ndërsa në perëndim të Shkodrës, në fshatin Obot që i përket komunës Ana e Malit. Në këtë zonë 180 shtëpi janë nën ujë dhe thellësia është shumë e madhe. Banorët në fillim rezistuan të evakuoheshin, por më pas kërkuan vetë të largohen. Ndërsa në fshatin Bërdicë, mbi 368 banesa vazhdojnë të jenë nën ujë dhe sipërfaqja e përmbytur është 1900 ha. Fshati, i cili njihet për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, tashmë është shkatërruar tërësisht. Fushat e Velipojës dhe të Dajçit ishin edhe dy zonat me sipërfaqen më të madhe të përmbytur, afërsisht 4 mijë ha tokë dhe 1200 banesa. Ndërkohë që prej pak ditësh, ujërat kanë hyrë edhe në brendësi të qytetit të Shkodrës. Rrugët janë mbushur me ujin e liqenit që ka zhvendosur kufirin deri në këtë rrugë kryesore që ndan qytetin në dy pjesë. Sipas Komitetit Ndërministror thuhet se 400 hektarë të tjera toke i janë shtuar sipërfaqes së përmbytur, e cila deri dy ditë më parë ishte në kuotën 10 mijë ha. Në hartën e këtij komiteti tashmë është përfshirë edhe komuna Rrethina, ku janë përmbytur gjatë orëve të fundit edhe 300 hektarë tokë dhe 16 shtëpi. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, nga DBUMK në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë janë kryer operacionet për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë, gjithsej 3.2 ton. Nga Drejtoria e Shëndetit Publik me Drejtorinë e Ujësjellësit qytet dhe fshat, njësitë e qeverisjes vendore në zbatim të urdhrit të KECQ janë ngarkuar me detyrë për marrjen e masave urgjente për kontrollin, monitorimin dhe dezinfektimin e ujit të pijshëm për të ruajtur parametrat e normave të lejueshme të përdorimit nga konsumatorët. Edhe policia është duke luajtur rolin e saj në këtë situatë kritike. Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër të mbështetura nga strukturat mbështetëse të Ministrisë së Brendshme janë planizuar dhe po ndërmerren konkretisht operacionet në terren për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve, urave, si dhe po bashkëpunojnë me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuimin e komunitetit nga zonat e përmbytura. Nga strukturat e ushtrisë po kryhen konkretisht operacionet e dërgimit të ndihmave ushqimore të Rezervave të Shtetit në Komunën Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Bërdicë, Ana e Malit, Bushat dhe Bashkinë Shkodër mbi bazën e urdhrit të dalë nga KECQ për këtë qellim. Ndërkohë që, edhe strukturat e huaja të ardhura nga Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Italia, të akomoduar pranë repartit të Vau të Dejës kanë marrë detyrat konkrete për të ndërhyrë në zonat e përmbytura. Në orën 19:00 të ditës së djeshme, në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur ndihmat në mjete teknike e pajisje nga Franca dhe Austria.
Operacioni
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, mësohet se operacioni në ndihmë të banorëve apo komunave të përmbytura vazhdon si nga forcat e ushtrisë shqiptare apo ato policore, ashtu dhe nga ndihmat mbështetëse që kanë ardhur nga jashtë. Kështu sipas të dhënave, gjatë gjithë ditës së djeshme nga BrMR ka vazhduar furnizimi i fshatit Obot me ujë dhe bukë, ndërsa Dajçi me ushqim. Gjithashtu, u transportua ujë nga Gjadri për në komunën Guri i Zi, si dhe bazë ushqimore për kafshët. Në Pentar janë shpërndarë 10 ton miell për popullatën, ndërsa në Komunën Bushat u shpërnda miell dhe u evakuuan 9 banorë. Operacioni vazhdon edhe nga Brigada Ajrore; ku helikopterët BO-105 kanë fluturuar për rikornicion, transport ndihmash 25 ton drejt zonave të përmbytura dhe janë kthyer në Farkë. Helikopterët CH-47 kanë kryer gjithsej 6 misione, duke shpërndarë ndihma, 16.5 ton ushqime dhe 16.1 ton ujë në rajonin Velipojë, Dajç, Guri i Zi. Komanda Mbështetëse me strukturat e saj ka vijuar nga toka operacionin. Kështu, 17 makina të tipit IVECO transportojnë ujë të pijshëm në komunën Dajç. Në Melgushë vazhdon transportimi i ushqimit dhe i ujit të pijshëm dhe evakuimi i banorëve. Në këtë komunë veprojnë rreth 14 mjete transporti dhe shoqërimi. Gjithashtu, vazhdon transporti i çadrave për strehimin e banorëve në Dajç. Po ngarkohet ushqim nga Baza Rezervë e Gjadrit për në Shkodër, ndërkohë që në Torovicë po punohet duke transportuar çakull për argjinaturën që po ngrihet. Policia Ushtarake me mjetet e veta po ndihmon në qytetin e Shkodrës për shpërndarjen e ushqimit dhe të ndihmave, ndërsa forcat e Maqedonisë dhe 16 forca greke po evakuojnë banorë nga mali i Jushit për në Bushat.
Forcat dhe mjetet që veprojnë në operacion: