Farudin Hoxha: Shkupi të mbyllë portat që Drini të mos mbërrijë në Fierzë

FOTOT
Tiranë, 11 Janar NOA - Nëse Maqedonia do
realisht që të ndihmojë fqinjët e saj, duhet të mbyllë portat në Strugë që
ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në Fierzë. Këtë deklaratë ka bërë sonte, Akademik
Farudin Hoxha, projektuesi i digave të hidrocentraleve në kaskadën e lumit
Drin.
Maqedonia duhet të lëshojë sa më pak ujë në
lumin Drin nga liqeni i Ohrit tek diga mbi liqen, në qytetin e Strugës.
Maqedonia duhet që me urgjencë të ndihmojë Shqipërinë ka deklaruar Akademik
prof. Dr. Farudin Hoxha.
Në vazhdim ai ka shtuar: Në Institutin
Hidrobiologjik për Liqenin e Ohrit thonë se, me 15 m3 në sekondë, Liqeni i
Ohrit do të ngrihet vetëm 1 metër lartësi dhe do të pakësohen ujërat që vijnë
nga Drini Zi mbi Fierzë me 35 milionë metra kub ujë.
Akademik Farudin Hoxha vazhdon duke thënë se derdhja
e ujit në lumin Drini i Zi në qytetin e Strugës, thonë specialistët e
Institutit Hidrobiologjik të liqenit, shkon 7 m3 në sekondë, e cila është e
barabartë me sasinë e ujit që hyn nga Shën Naumi.
Duke përmendur edhe marrëveshjen bilaterale,
Akademik Farudin Hoxha thotë: Qeveria shqiptare duhet të mbledhë me urgjencë
komitetin bilateral me shtetin maqedonas që të ndalojë derdhjen e ujërave nga
Liqeni i Ohrit në Drinin e Zi, i cili mbërrin në Fierzë.
Hoxha kujton faktin se është një marrëveshje
dypalëshe midis dy shteteve që nga viti 1956 (ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë),
për disiplinimin dhe menaxhimin e ujërave.
Edhe pse Shqipëria ndodhet para një situate
dramatike, pala maqedonase çuditërisht nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv- ka
përfunduar Akademik Farudin Hoxha, duke kërkuar me forcë që autoritetet e Shkupit
të mbyllin portat në Strugë që ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në Fierzë.
e.r/NOA/INA