OKB: 5,3 miliardë dollarë ndihma për të rimëkëmbur Haitin
5.3 miliard dollarë, kjo është shifra e konsiderueshme që është arritur që të grumbullohet nga vendet donatore për t'i ardhur në ndihmë Haitit. Kjo ndihmë ka ardhur pas tërmetit shkatërrues të muajit janar i cili ishte me magnitudë 7 ballë. Lajmi njoftohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Gjatë konferencës për Haitin Mun tha se i gjithe fondi do të përdoret brenda 2 viteve të ardhshme.
9 miliard dollarë është shuma e kërkuar prej OKB-së për t'i ardhur në ndihmë Haitit.
"Kjo është shumë që do të marrë Haiti për tu rimëkëmbur dhe rindërtuar. Tashmë ne do të organizohemi të gjithë që këto para të shpenzohen në mënyrën e duhur për t'i rikthyer Haitit identitetin e tij, si edhe për të ndihmuar me miliona njerëz të pastrehë që ndodhen në këtë vend."- u shpreh sekretari i OKB-së Ban Ki Mun.
Gjatë deklaratës së tij Ban Ki Mun falenderoj të gjitha shtetet të cilat treguan zemërgjërësinë e tyre duke dhuruar shuma të konsiderueshme për shtetit i cili u prek në muajin janar nga një prej katastrofave më të paprecedenta gjatë historisë së njerëzimit.
"Ndihma është shumë e rëndësishme. Por asnjëherë një ndihmë ekonomike nuk e shpëton një shtet në krizë. Ne kërkojmë që shteti i Haitit të fitojë pavarësinë e tij shtetërore dhe ekonomike për të tejkaluar këtë periudhë negative."- pohoi zyrtari i lartë i OKB-së. Presidenti i Haitit u shpreh shumë i lumtur për ndihmën që shtetet e huaja kanë dhënë për vendin e tij dhe e përshëndeti nismën e tyre bujare. Kjo ndihmë vjen në një periudhë shumë të rëndësishme për shtetin ishullor, pasi shumë shpejt pritet që të të fillojë stina e reshjeve të shumta të shiut.