E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Fajtorët e 21 janarit të dalin para drejtësisë

Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e grave dhe fëmijëve

HOMAZHE-PER-21-JANARINKomiteti i Organizatës të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në raportin më të fundit ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zvarritjen e hetimeve për ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe kërkon nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë. Në raportin e këtij komiteti për Shqipërinë, i bëhet thirrje shtetit shqiptar të përmbyllë hetimet për 21 janarin duke garantuar standardet ndërkombëtare të hetimit dhe sugjerohet kompensimi i familjarëve të 4 protestuesve të vrarë.
Dhuna në familje
Një vëmendje e veçantë në raport i kushtohet edhe dhunës brenda familjes, që vetëm gjatë muajit korrik i ka marrë jetën katër grave vetëm në kryeqytet. Komiteti shpreh shqetësim për mungesën e hetimeve efektive të policisë dhe mos zbatimin e urdhrave të mbrojtjes si dhe për numrin e pamjaftueshëm të strehave për viktimat e dhunës. Shteti të garantojë hetimin e duhur të rasteve të dhunës brenda familjes, ndëshkimin me masat e duhura të shkelësve dhe kompensimin e duhur të viktimave, thuhet në raport.
Media
Komiteti shpreh gjithashtu shqetësim për raportimet mbi sulmet kundër gazetarëve duke i bërë thirrje shtetit të marrë masa për të garantuar lirinë e shprehjes në të gjitha format. Të hetohen rastet e dhunës apo sulmeve kundër gazetarëve dhe të parandalohen dhe frenohen paditë kundër medias, thuhet tek konkluzionet e këtij komiteti.
Gjakmarrja
Një tjetër fenomen për të cilin shprehet shqetësim është ai i gjakmarrjes, ku komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut, i kërkon shtetit të marrë masa për të ndihmuar familjet e ngujuara. Shteti të marrë masat më efektive kundër këtij fenomeni dhe të hetoje krimet e gjakmarrjes, thuhet në konkluzione, ku shprehet shqetësim për mos zbatim të ligjit dhe për hetime jo efektive nga ana e policisë. Ndërkaq komiteti i OKB-së i cilëson kushte jo njerëzore ato në të cilat mbahen aktualisht të burgosurit në Shqipëri, ndërsa bën thirrje që burgjet e reja të përmbushin standardet ndërkombëtare. Një apel i bëhet edhe autoriteteve shqiptare për të hetuar rastet e keqtrajtimit të fëmijëve në rajonet e policisë. Komiteti shpreh shqetësim për raportimet edhe mbi përhapjen e korrupsionit në gjyqësor, ndërsa i bën thirrje shtetit që të përmirësojë me urgjence funksionimin e sistemit gjyqësor. Shqetësim shprehet edhe për faktin se komuniteti rom vijon të përballet me diskriminim pavarësisht miratimit të Strategjisë Kombëtare për Romët, që në fakt sipas komunitetit nuk po implementohet në mënyrë efektive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›