E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: Hetim të plotë Gërdecit, aty ku është e nevojshme, të hiqet imunitetiNga TemaRaportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Profesor Philip Alston, ka bërë publike përmbledhjen e misionit të tij një javor në Shqipër

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

OKB: Hetim të plotë Gërdecit, aty ku është e nevojshme, të hiqet imunitetiNga Tema

Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Profesor Philip Alston, ka bërë publike përmbledhjen e misionit të tij një javor në Shqipëri. Duke folur për çështjen e Gërdecit, ai ka kërkuar që të jepet drejtësi e plotë, dhe aty ku shihet e nevojshme, të kërkohet heqja e imuniteteve. Zyrtari i OKB ka deklaruar se shpesh çështja e imuniteteve bëhet pengesë në hetimet që bëhen nga prokuroria.

“Gjykimi i atyre që mbajnë përgjegjësi për jetët e humbura, plagosjet të shkaktuara, dhe pronën e shkatërruar nga shpërthimi i Gërdecit në mars të vitit 2008 është qartësisht një çështje e rëndësisë së lartë. Është gjithashtu një çështje e ngarkuar shumë me implikime politike, te cilave nuk dëshiroj t’u hyj. Shqetësimi im është nëse vdekjet e Gërdecit janë hetuar në mënyrë domethënëse dhe nëse po gjykohen në mënyrë efektive. Të gjitha përpjekjet e nevojshme duhen bërë nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për të garantuar se drejtësia do të shkojë në vend dhe do të duket se ka shkuar në vend dhe se, aty ku është e nevojshme, do të bëhen kërkesa për heqjen e imuniteteve,” tha Alston.

Ai foli dhe për një çështje tjetër delikate si ajo e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Zyrtari i OKB kërkoi procedura transparente dhe të ndershme.

“Gjykata Kushtetuese është një element jetik në ruajtjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Dy të tretat e gjykatësve do të zëvendësohen nga Presidenti, me miratimin e Kuvendit, kur mandatet e tyre të skadojnë në muajt e ardhshëm. Në çdo situatë të tillë, një qeveri gjendet para rrezikut që të shihet sikur po e përdor këtë mundësi për të ndryshuar në mënyrë domethënëse përbërjen e gjykatës në favor të saj. Prandaj është e rëndësishme për Qeverinë që të demonstrojë se procesi i zëvendësimit qeveriset nga procedura që janë, dhe mund të shihen se janë, të ndershme. Është e dëshirueshme që Qeveria ta angazhohet, në të gjitha emërimet në gjyqësor, për respektimin e procedurave transparente në mënyrë që të garantohet një gjyqësor i kualifikuar dhe i pavarur, dhe t’i reflektojë këto procedura në legjislacion,” tha Alston.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›