OKB: Në Iran janë shtuar ekzekutimet

Në Iran është shënuar rritje dramatike e ekzekutimeve në vitin 2011.
Kështu ka konstatuar shefja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pallai, zyra e së cilës tha se shkalla e ekzekutimeve aktuale është tre herë më e lartë se sa ajo e vitit të kaluar.
Nëpërmjet një deklarate, Navi Pallai tha se pavarësisht kërkesave të OKB-së, për ta ndalur këtë praktikë, “autoritetet e Iranit duket se e kanë shtuar shfrytëzimin e dënimit me vdekje”.
Mëtutje, theksohet se praktika e Iranit për ekzekutimin e të burgosurve politikë është shkelje e konventave ndërkombëtare për të drejta politike dhe civile të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë nënshkruar edhe nga Irani.