Samiti, mbërrijnë krerët e shteteve dhe qeverive
Blindohet Kopenhageni
Kanë vazhduar përleshjet mes manifestuesve dhe policisë daneze, 250 të ndaluar, ndërsa negociatat mbërrijnë në fazën përfundimtare
është blinduar dje konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi klimën, ndërsa 110 krerët e shteteve dhe qeverive, mes të cilëve presidenti amerikan Barak Obama, nisën të mbërrijnë për fazën finale të samitit. Ndërkohë, në presidencën e takimit pati një ndryshim. Deri nesër do t’i takojë kryeministrit danez, Lars Rasmusen, që të drejtojë punimet e sesionit të nivelit të lartë të konferencës, pasi u largua nga drejtimi ministrja daneze e Ambientit, Connie Hedegaard, e cila do të emërohet komisionere e BE-së për klimën. Dorëheqja e saj, deklaroi një zëdhënës, ishte e parashikuar dhe nuk ka asnjë domethënie politike apo polemike. Kalimi i timonit të drejtimit te Rasmusen shënon një shtim të mëtejshëm të nivelit politik të konferencës, pasi faza fillestare u drejtua nga Hedegaard, që pati si protagonist ministrat e Mjedisit të 193 vendeve pjesëmarrëse. Që nga dita e sotme, podiumi do t’u kalojë krerëve të shteteve dhe qeverive, që nisën të mbërrijnë dje në Kopenhagen. Ndërkohë, kanë vazhduar përleshjet mes manifestuesve dhe policisë përpara qendrës “Bela”, ku po zhvillohen punimet e konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi klimën. Përleshjet u intensifikuan një ditë përpara fazës finale të negociatave, ku marrin pjesë liderët botërorë të vendeve pjesëmarrëse. Brenda qendrës së kongreseve u rrit shumë pesimizmi mbi mundësinë e arritjeve të rezultateve konkrete, ndërsa jashtë saj tensioni arriti kulmin. Dje, në të gjithë zonën mbretëroi kaos total, dhe si pasojë ministrja e Mjedisit mbeti e bllokuar për më shumë se një orë në makinën e saj në mes të turmës së mbledhur përpara “Bella Center”. Ajo deklaroi se do të paraqesë një protestë formale, sepse pavarësisht njoftimit të organeve institucionale dhe të policisë, askush nuk ndërhyri. Dy kortezhe u nisën dje në mëngjes, me rreth një mijë protestues, pavarësisht të ftohtit dhe reshjeve të dendura të borës. Me të mbërritur përpara qendrës së kongreseve shpërthyen përleshje të dhunshme me policinë daneze, e cila u detyrua të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Sipas mediave, rreth 250 vetë u ndaluan dje nga forcat e rendit, ndërsa 1200 manifestues u bllokuan nga policia në rrugën që lidh “Bella Center” me qendrën e Kopenhagenit. Kordonë policie mbyllën rrugëdaljet e manifestuesve nga tri anët, deri në qetësimin e situatës. Pak më vonë, shumë prej manifestuesve nisën të këndojnë dhe kërcejnë, ndërsa policët hoqën kaskat. Agjentët e ndarë në tre grupe me xhipa dhe furgona ngarkonin herë pas here manifestuesit që tentonin të hynin në “zonën e kuqe”, duke arritur me raste të thyenin barrierat e mbrojtjes. Pati edhe nga ata protestues që arritën të ngjiten në çatitë e furgonëve të policisë. Për pak çaste policia humbi thuajse plotësisht kontrollin e situatës dhe ndërhyri me forcë kundër grupeve të vogla të manifestueseve që refuzonin të largoheshin.
Revista “Time”
Bernanke, njeriu i vitit
Revista amerikane i dedikon kopertinën presidentit të “Federal Rezerve”: Evitoi katastrofën ekonomike!
është Ben Bernanke, presidenti i Rezervës Federale, bankës qendrore amerikane, “Nnjeriu i vitit 2009”, sipas revistës “Time”, që tashmë e ka bërë traditë t’i dedikojë kopertinën e saj të fundvitit personazheve më të dalluar të skenës ndërkombëtare. Bernanke, sipas motivimit që dha revista, ka qenë protagonist në drejtimin e një prej ekonomive më të rëndësishme të botës. “Lidershipi i tij kreativ kontribuoi që viti 2009 të ishte një periudhë rimëkëmbjeje, edhe pse e dobët, duke shmangur depresionin dhe katastrofën ekonomike. Dhe sot ai vazhdon të ketë një pushtet të pashoq mbi paratë tona, vendet tona të punës, kursimet dhe të ardhmen tonë si komb. Vendimet e marra prej tij dhe ato që do të marrë në të ardhmen do të përcaktojnë rrugën tonë drejt prosperitetit, drejtimin e politikës sonë dhe marrëdhënien tonë me botën”, - shkruan “Time”. Bernanke arriti të mundë në selektimin përfundimtar gjeneralin amerikan Stenli MekKristal, “punëtorin kinez”, kryetaren e Dhomës në Kongresin Amerikan, Nensi Pelozi dhe vrapuesin Usain Bolt. Vitin e kaluar, revista ia dedikoi kopertinën, atëherë presidentit të sapozgjedhur, Barak Obama, që pas disa javësh mori detyrën e shefit të Shtëpisë së Bardhë. 2007 ishte radha e kryeministrit rus Vladimir Putin, për të pasur nderin e njeriut të vitit. Mes fituesve në të kaluarën renditen solisti i “U2”, Bono, ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush dhe themeluesi i uebsajtit “Amazon.com Jeff”. Bezos.