E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

OKB: Shumë abuzime në Ukrainë mund të përbëjnë krime lufte

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, ka thënë se 1000 trupa janë gjetur në zonat përreth kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, javët e fundit raporton Reuters.

OKB-ja ka verifikuar pretendimet për shkelje të kryera që nga fillimi i pushtimit rus dhe shumë prej tyre mund të përbëjnë krime lufte, shtoi ajo.

“Shkalla e vrasjeve të paligjshme, duke përfshirë indikacionet [shenjat] e ekzekutimeve të shkurtra në zonat në veri të Kievit, është tronditëse,” i tha ajo Këshillit të të drejtave të njeriut me qendër në Gjenevë.

“Ndërsa kemi informacione për 300 vrasje të tilla, shifrat do të vazhdojnë të rriten me provat e reja.

“Këto vrasje të civilëve shpesh dukeshin të ishin të qëllimshme, të kryera nga snajperët dhe ushtarët. Civilët u vranë kur kalonin rrugën ose largoheshin nga strehimoret e tyre për të kërkuar ushqim dhe ujë. Të tjerët u vranë ndërsa iknin me automjetet e tyre. Burra vendas të paarmatosur u vranë sepse ushtarët rusë dyshonin se ata mbështesnin forcat ukrainase ose përndryshe ishin një kërcënim potencial, dhe disa u torturuan para se të vriteshin.”

Këshilli i të Drejtave të Njeriut do të vendosë të enjten nëse do t’u kërkojë zyrtarëve të kryejnë një hetim të plotë mbi ngjarjet që ndodhën në Kiev dhe rajone të tjera në shkurt dhe mars.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›