E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB diskuton sot për rolin e Gjykatës së Hagës

Në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, sot mbahet debati për punën e Gjykatës ndërkombëtare për krime lufte, debat në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Tomisllav Nikoliç.

Diskutimet mbi temën Roli i së drejtës penale ndërkombëtare në realizimin e pajtimit, janë caktuar për sot, nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiç.

Në delegacionin e Serbisë sot merr pjesë edhe ministri i punëve të jashtme, Ivan Mërkiç.

Jeremiç këtë debat e ka futur në agjendë vitin e kaluar pas shfajësimit të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, në Gjykatën Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të jenë të përfaqësuara nga diplomatë të rangut më të ulët.

Jeremiç ndërkaq e ka cilësuar si skandaloze faktin që presidenti i Gjykatës së Hagës nuk i është përgjigjur thirrjes për të marër pjesë.

Në fakt, presidenti i Tribunalit, Theodor Meron, ka kritikuar debatin në fjalë, duke thënë se me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit.

Gjykatësi Meron, duke folur ditë më parë në Brookings Institution në Washington, ka thënë se shfajësimet, ashtu si edhe dënimet, dëshmojnë për shëndetin e këtij sistemi.

Debati pritet të fillojë në orën 10:00, sipas kohës lokale në New York.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›