Veterani i luftës vret 13 vetë në Serbi
Gjashtëdhjetëvjeçari pati luftuar në Kroaci dhe njihej si komshi i mirë dhe i qetë
Trembëdhjetë njerëz u vranë dje në një fshat pranë Beogradit në Serbi kur një burrë doli me pistoletë dhe hapi zjarr ndaj familjes së vet dhe fqinjëve tërësisht papritur, njofton media serbe.
Gjashtë burra, gjashtë gra dhe një fëmijë dy vjeç vdiqën para se vrasësi të tentonte të vriste edhe bashkëshorten e tij, si dhe veten. Që të dy janë në gjendje të rëndë në spital.
Policia e identifikoi personin si Ljubisa Bogdanoviç, një veteran 60-vjeçar i luftërave në ish-Jugosllavi. Viktimat raportohet se janë të afërm dhe fqinjë të Bodganoviç dhe mes tyre është edhe nëna dhe djali i tij.
Vrasjet ndodhën në shumë shtëpi në fshatin Velika Ivanca, rreth 50 kilometra në juglindje të kryeqytetit rreth orës 5 të mëngjesit. Banorët thanë se vrasësi, i armatosur me një pistoletë 9 milimetra, vrau djalin e vet para se të dilte nga shtëpia për të vrarë fqinjët, disa prej të cilëve qenë ende në gjumë.
Ai trokiti në derë dhe ndërsa fqinjët hapnin derën, ai thjesht qëllonte me një plumb të vetëm, tha bashkëfshatari Radovan Radosavljeviç i cituar nga Associated Press. Ai qe një fqinj i mirë dhe gjithkush do tia hapte derën atij. Nuk e di se çfarë ka ndodhur, tha fqinji.
Të gjithë me përjashtim të njërit prej viktimave, vdiqën menjëherë, tha policia. Kreu i policisë së Serbisë, Milorad Veljoviç, i cili shkoi në vendngjarje, i tha një televizioni se vrasësi qe nga një familje paqësore dhe nuk kishte të shkuar kriminale.
Ne të gjithë jemi të tronditur, tha Veljoviç.
I dyshuari qe një ushtarak në lirim. Ai luftoi si ushtar serb në Kroaci në vitin 1991. Policia nuk ka ende asnjë hipotezë për shkaqet që mund ta kenë çuar 60-vjeçarin në këtë veprim. Në një sulm të ngjashëm më 2007, një 39-vjeçar hapi zjarri dhe vrau nëntë njerëz në një fshat në lindje të vendit. Arma e krimit qe e licencuar në emër të tij.
Veterani i luftës vret 13 vetë në Serbi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email