OKB do të diskutojë traktatin e tregtisë të armëve

Delegatë nga më shumë se 150 vende do të mblidhen në Kombet e Bashkuara në New York nga 2 deri më 27 korrik, për të hartuar një traktat mbi tregtinë globale të armëve.
Projekt-traktati ligjërisht i detyrueshëm do të caktonte standarde ndërkombëtare për të rregulluar importin, eksportin dhe transferimin e armëve konvencionale, nga aeroplan-mbajtëset tek armët automatike dhe armët e vogla. Eksportues kryesorë të armëve, si Shtetet e Bashkuara dhe importues kryesorë, si për shembull India, do të marrin pjesë.
Analistët thonë se traktati duhet të përfshijë një sërë rregullash licencimi të eksporteve, që do të kuptoheshin nga të gjitha vendet dhe do të zbatoheshin prej tyre.