OKB-ja akuza Rusisë: Po bllokon hyrjen në zonat e goditura nga përmbytjet

OKB-ja ka akuzuar Rusinë se ka refuzuar të lejojë dërgesat e ndihmave në zonat e kontrolluara nga Moska të prekura nga përmbytjet pas shkatërrimit të digës Kakhovka pothuajse dy javë më parë.
OKB u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që të veprojnë në përputhje me detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
“Qeveria e Federatës Ruse deri më tani ka refuzuar kërkesën tonë për të hyrë në zonat nën kontrollin e përkohshëm ushtarak të saj. OKB-ja do të vazhdojë të angazhohet për të kërkuar aksesin e nevojshëm. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Ndihma nuk mund t’u mohohet njerëzve që kanë nevojë për të”, tha në një deklaratë koordinatorja humanitare e OKB-së për Ukrainën, Denise Brown.
Deklarata vjen pasi autoritetet ukrainase dhe ruse thanë se numri i të vdekurve nga përmbytjet ishte rritur në 52.
Zyrtarët rusë bën me dije se 35 persona kishin vdekur në zonat e kontrolluara nga Moska, ndërsa Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se 17 kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë janë zhdukur.
Sakaq, më shumë se 11,000 persona janë evakuuar nga të dyja anët, si pasojë e përmbytjes së digës Nova Kakhova.
Shembja e digës së kontrolluar nga Moska më 6 qershor shkaktoi përmbytje në të gjithë Ukrainën jugore dhe pjesë të pushtuara nga Rusia të rajonit Kherson, duke shkatërruar shtëpitë, tokat bujqësore dhe duke ndërprerë furnizimet për banorët.
/rtsh.al/