E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB-ja si vendtakim i mundësive

02-10-2011 / Nga Jerome M. Segal (Haaretz)

Një udhërrëfyes hap pas hapi sesi Qeveria izraelite mund ta shndërrojë nismën palestineze në Kombet e Bashkuara në një makinë për paqe

Është brenda fuqisë së Qeverisë izraelite ta shndërrojë nismën palestineze në Kombet e Bashkuara në një hap të fuqishëm drejt paqes. Kjo do të kërkojë pak rivlerësim dhe imagjinatë. Ja sesi mund të bëhet: Së pari, duhet të ndërpritet përpjekja e “Fatahut” për ndalimin e realizimit të shtetit palestinez nëpërmjet Kombeve të Bashkuara. “Fatahut” i duhet një triumf. Ani çka nëse kjo shkel Marrëveshjen e Oslos? Nuk do të jetë hera e parë për asnjërën palë. Çështja reale për Izraelin është nëse fqinjët palestinezë do të qeverisen nga të moderuarit, të cilët mbështesin zgjidhjen me dy shtete, apo nga ata që ndjekin rrugën e shkatërrimit të Izraelit nëpërmjet dhunës së pakontrolluar. Kërkojini PLO-së (në thelb “Fatahut”) të themelojë një qeveri të përkohshme të shtetit të ri. Pranojeni shtetin e ri. Së dyti, shpërqendroni këto ngjarje duke i frenuar ato brenda kushteve të udhërrëfyesit të vitit 2003 të Kuartetit, të draftuar nga administrata e Bushit dhe të pranuar nga Izraeli dhe PLO-ja. Kujtojeni se udhërrëfyesi promovoi rrugën për një Fazë të dytë opsionale, që bënte thirrje për një shtet të pavarur palestinez me kufij të përkohshëm. Lëvizja në Fazën e dytë ishte supozuar të kalohej me një konferencë ndërkombëtare, pas së cilës kufijtë e përkohshëm specifikë do të duhej të negocioheshin nga PLO-ja dhe Izraeli. Merreni sesionin e fundit të OKB-së si një konferencë ndërkombëtare. Kujtojeni se udhërrëfyesi thoshte se përpara negociatave të statusit final, anëtarët e Kuartetit do të duhej “të promovonin njohje ndërkombëtare të shtetit palestinez, përfshirë mundësinë e anëtarësimit në OKB”. Ftojeni qeverinë e përkohshme palestineze të negocioni kufijtë e përkohshëm. Nëse palestinezët refuzojnë këto negociata – dhe me shumë gjasë do të refuzojnë, sepse gjithnjë iu kanë frikësuar kufijve të përkohshëm dhe kundërshtuan Fazën e dytë të udhërrëfyesit – atëherë Izraeli do të duhej të tërhiqej në mënyrë të njëanshme nga shumica e Bregut Perëndimor. Do të jetë rezultat i një Faze të dytë nëpërmjet një procesi të ndryshëm, dhe do t’ia japë Izraelit atë çfarë e kishte kërkuar më parë, përvojën me një shtet të pavarur palestinez përpara bisedimeve për çështje të statusit përfundimtar.
Së treti, në të njëjtën kohë, të bëhet e ditur se Izraeli njeh gjithë Rripin e Gazës si territor të qeverisur de jure nga Shteti i Palestinës, dhe se Izraeli do të tërheqë të gjitha bllokadat tokësore, ajrore dhe detare të Gazës, nëse dhe atëherë kur palestinezët do të përmbushin dy kushte. Kushti i parë kërkon që Gaza të futet nën kontrollin e Shtetit aktual të Palestinës, dhe kushti i dytë kërkon që Palestina, Izraeli dhe Egjipti të pajtohen për disa mekanizma që do ta ndalnin vërshimin e armëve në Gazë. Së katërti, shprehni qëndrimin e gatishmërisë së Izraelit për të shkuar në Fazën e tretë dhe negocioni kufijtë përfundimtarë dhe të gjitha çështjet e statusit të përhershëm – por vetëm pas një pauze, gjatë së cilës kohë palestinezët do të merren me krizën e tyre të legjitimitetit. Së pesti, ndihmojeni përpjekjen palestineze për ta kthyer shtëpinë e tyre nën kontroll. Bëjeni një ndarje të prerë ndërmjet një qeverie unike në të cilën “Fatahu” dhe “Hamasi” bashkëqeverisin (të cilën Izraeli do ta kundërshtojë), dhe një kornize unike të qeverisjes për të cilën do të garojnë të dy grupet rivale për ta fituar pushtetin nëpërmjet zgjedhjeve(diçka që i duhet Izraelit). Trimëroni palestinezët të pajtohen për një kushtetutë të shtetit të Palestinës dhe të mbajnë zgjedhje për qeverinë e tyre të parë. Mbështetni demokracinë palestineze duke u pajtuar të respektoni rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme, kushdo që do t’i fitojë. Po, është e mundshme se “Hamasi” mund t’i fitojë ato zgjedhje, por nuk ka shumë mundësi. Me pak fjalë, nëse populli palestinez më shumë ka dëshirë të qeveriset nga “Hamasi” sesa nga “Fatahu”, është më mirë për Izraelin ta mësojë këtë tani. Në këtë rast, do të kishte negociata për konfliktin e pafundmë, dhe Izraeli do të mundohej të punonte drejt arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi me një qeveri të “Hamasit”. Së gjashti, duhet të mbështetet një pauzë lidhur me negociatat e statusit përfundimtar derisa palestinezët të kenë mbajtur zgjedhjet për një qeveri të vetme për të gjithë Palestinën. Deklaroni se Izraeli do të respektojë obligimin e tij të Fazës së parë të udhërrëfyesit, që bën thirrje për një ngrirje të të gjitha zgjerimeve të kolonive. Së shtati, mendoni pozitivisht për implikimet e kërkesës palestineze për shtetësi në Kombet e Bashkuara, vini re se PLO-ja po kërkon njohje të shtetit që ishte proklamuar me kufijtë e tij sipas Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1988 – një dokument që jo vetëm se kishte pranuar rezolutën e ndarjes së vitit 1947, por në mënyrë eksplicite theksonte se rezoluta e ndarjes bënte thirrje për një zgjidhje me dy shtete, “një arab dhe një hebraik”. Kjo është e rëndësishme për Izraelin, një mundësi që mund të mos vijë përsëri.
Së teti, çmojeni faktin se me shtetësi, forcat palestineze të sigurisë do të kenë një bazë afatgjate dhe të qëndrueshme për të vepruar kundër grupeve dhe individëve joshtetërore të armatosur. Në planin e brendshëm, në vend se të jenë të akuzuar se janë polici pushtuese, ata do të ushtrojnë monopolin e pushtetit që është pjesë e të gjitha pretendimeve për sovranitet. Së nënti, rehatohuni me faktin se ekzistenca e Shtetit të Palestinës do të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes së refugjatëve. Pretendimet maksimaliste për një të drejtë të pakontestuar për t’u kthyer në Izrael do të jenë të pakuptimshme kur palestinezët do ta kenë mundësinë e gëzimit të shtetësisë në shtetin e tyre. Me shtetësi, ne do të shohim një qasje më të matur në lidhje me diskursin e refugjatëve, me një fokusim në ide kompensuese dhe kreative për adresimin e nevojave themelore të refugjatëve. Dhe së dhjeti, përfitoni përparësi nga një pauzë. Nisni rregullimin e problemeve të brendshme të Izraelit.

Autori është profesor filozofie në Universitetin e Marylandit dhe president i Lobit Paqësor Çifut

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›